Thaçi: Kosova këtë të diele e kaloi testin evropian
Prishtinë, 5 nëntor - Në hapje të mbledhjes se qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se Kosova këtë të diele e kaloi testin evropian për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike, të konkurrencës dhe zgjedhje të vlerësuara edhe prej Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej verifikuesve ndërkombëtarë.
Dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet që kanë qenë të involvuara në këtë proces, të gjithë spektrin politik, organizatat joqeveritare, mediet, vëzhguesit vendor, ndërkombëtar.
Rëndësia e dytë është se zgjedhjet janë organizuar në gjithë territorin e Kosovës, për herë të parë pas 14 vitesh. Pjesëmarrja e serbëve në veri, definitivisht e ka legjitimuar marrëveshjen e Brukselit për një Kosovë unike, për një Kosovë të re, për një Kosovë si atdhe i gjithë qytetarëve të saj, me përfaqësim në institucionet qendrore dhe lokale.
Me përjashtim të incidentit të izoluar, i tërë procesi ka qenë legal, i pranueshëm, i vlefshëm dhe me standarde ndërkombëtare.
"Jemi të vetëdijshëm që ka pasur shantazhe dhe kërcënime prej grupeve të ndryshme ekstremistësh në veri, por ata që kanë prishur kutitë e votimit, do të ballafaqohen me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare", ka theksuar Thaçi.
Definitivisht sipas tij është dëshmuar se vetëm një vit pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, mund të organizojmë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike.
Ai ka falenderuar KQZ-në për punën e tyre të shkëlqyeshme që kanë bërë, OSBE-në për ndihmesën dhe, gjithashtu Policinë e Kosovës, EULEX-in, KFOR-in, gjithë korin diplomatik në Republikën e Kosovës është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.