Thaçi: Kosova evropiane është atdhe i gjithë qytetarëve të saj
Prishtinë, 7 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Festës së Krishtlindjeve Ortodokse, ka vizituar sot familjen e Ranko Kostiqit dhe atë të Millorad Sharkoviqit në fshatin Videj të Klinës.
Gjatë vizitës në këto dy familje të komunitetit serb të Komunës së Klinës, Kryeministri Thaçi ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Slobodan Petroviq, nga Ministri i Ministrisë së Kthimit dhe të Komuniteteve, Dalibor Jevtiq dhe nga Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota.
Gjatë pritjes në familjen Kostiq, Kryeministri Thaç i theksoi:
“Edhe me këtë rast feste mesazhi jonë është se ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme për të gjithë në vendin tonë. Këtij mesazhi i bashkëngjiten edhe zëvendëskryeministri Petroviq dhe kryetari i Komunës së Klinës, z. Bashota. Prandaj, e falënderojmë nikoqirin tonë z. Kostiq për këtë pritje të ngrohtë dhe i njëherit i urojmë festën e tyre, duke i dëshiruar të gjitha të mira në jetë familjes së tyre” – tha kryeministri Thaçi pas vizitës në familjen Kostiq në Videj dhe shtoi:
“Unë edhe Qeveria e jonë jemi të përkushtuar që të takojmë të gjithë serbët e kthyer në pronat e tyre. Dëshiroj edhe gjatë kësaj vizite të ftoj të gjithë të shpërngulurit, kudo që janë, që të kthehen në pronat dhe shtëpitë e tyre. Kosova është e jona, dëshirojmë që të ndërtojmë një Kosovë evropiane, si atdhe të gjithë qytetarëve të saj” tha z.Thaçi.
Ndërsa, pas vizitës, në një deklarim para mediave, Kryeministri Thaçi tha:
“Për mua si kryeministër i vendit ishte një kënaqësi e veçantë që sot të vizitoj familjen Kostiq me rastin e Krishtlindjeve ortodokse. Është një kënaqësi e veçantë që të shohim njerëz të bashkuar në festat e tyre. Duke punuar të gjithë bashkërisht jemi sot këtu me zëvendëskryeministrin Slobodan Petroviq, me kryetarin e Klinës z. Bashota gjithashtu për të shikuar por edhe që të jemi afër njerëzve në festat e tyre, në punën tonë të përbashkët për të ndërtuar Kosovën e re, e ky vite është një vite apo fillim i mbarë për të ndërtuar Kosovë evropiane si atdhe të gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, edhe një herë sot e dërgova mesazhin për rikthimin e njerëzve që duan të kthehen në pronat dhe në shtëpitë e tyre. Janë krijuar kushtet për rikthimin e të gjithë të shpërngulurve. Janë krijuar kushtet, është krijuar siguria. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të sigurohen të gjitha rrethanat për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Në emër të familjes Kostiq, kryefamiljari Ranko Kostiq falënderoi Kryeministrin Thaçi për vizitën e bërë sot, me rastin e Festës së Krishtlindjeve.
“I nderuari kryeministër i vendit, në emër të familjes Kostiq, dhe në emër të gjithë të kthyerve në komunën e Klinës ju dëshirojmë mirëseardhje në mesin tonë. Ne gjithashtu ju falënderojmë që në këtë festë të madhe keni gjetur kohë për të vizituar dhe të na uroni këtë festë” tha z.Kostiq.
Më pastaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi edhe familjen e Millorad Sharkoviqit po në fshatin Videj të Klinës dhe atij dhe të gjithë anëtarëve të familjes iu shprehu urimet më të mira me rastin e Festës së madhe të Krishtlindjeve ortodokse.
Në konferencën për media pas takimit, nikoqiri Milorad Sharkoviq falënderoi kryeministrin Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrin Petroviq, ministrin për kthim dhe komunitete Jeftiq, kryetarin e Komunës së Klinës Bashota dhe të gjithë mysafirëve për këtë vizitë.
“Kjo është një shenjë e kujdesit dhe dëshmi se ky është kryeministri ynë dhe këta janë udhëheqësit e të gjithë njerëzve që jetojnë në këto troje. Unë nuk po mund të gjejë fjalë adekuate për të përshkruar gëzimin dhe kënaqësinë që përjetuam me vizitën e kryeministrit dhe udhëheqësve tjerë prezentë. Faleminderit të gjithëve” tha z.Sharkoviq.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pasi falënderoi z.Sharkoviq për mikpritjen e tij dhe të familjes së tij, i uroi festën dhe përmes kësaj familjeje uroi edhe të gjithë besimtarët ortodoksë në Kosovë.