Thaçi: Kosova e meriton që të anëtarësohet në UNESCO
Paris 21 tetor - Sot, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të specializuar të KB-së ka miratuar me 27 vota për, 14 kundër dhe 14 abstenime, propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën.
Pas votimit, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se rezultati i votimit të sotëm në UNESCO është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të shtetit të Kosovës, miqve dhe qytetarëve të saj.
Vlerësoj së votimi i sotëm përbën një hap të jashtëzakonshëm për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO. I falënderoj miqtë, partnerët tanë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë në kuadër të këtij procesi. Kosova e meriton ti bashkohet UNESCO-s, ka thënë Thaçi pas kumtimit të rezultatit të votimit.
Zëvendëskryeministri Thaçi nënvizoi se Kosova e meriton që të anëtarësohet përfundimisht në UNESCO. Ky zhvillim do të ndikojë që Kosova të vazhdojë të punojë edhe më fuqishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, për avancimin e arsimit dhe shkencës. Kosva është shtet multietnik, vend që i takon të gjithë qytetarëve të saj. Dëshiroj tiu falënderoj të gjitha vendet që votuan në favor të Kosovës, por edhe shpresoj se edhe vendet që kanë abstenuar dhe ato që kanë votuar kundër do të reflektojnë dhe do të inkurajohen që të votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO, theksoi Thaçi.
Ndërkaq, mbetet që Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, në nëntor, të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.