Thaçi: Kosova do të respektojë në përpikëri marrëveshjen e 19 prillit

Prishtinë, 26 korrik - Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes se Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka informuar kabinetin qeveritar për takimin e fundit në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë.
Sipas Thaçit është me rëndësi që në shumë segmente është duke vazhduar implementimi i marrëveshjes së arritur më 19 prill, ndërsa në takimin e fundit është bërë progres në veçanti sa i përket zgjedhjeve lokale me 3 nëntor."
Ai ka thënë se ka besim të plotë se ky proces do të jetë i suksesshëm dhe zgjedhjet lokale do të jenë me një përfshirje të gjitha komuniteteve në zgjedhjet që do të organizohen në gjithë territorin në të njëjtën ditë me 3 nëntor 2013.
Ndërsa, OSBE-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në përputhshmëri me kërkesën tonë që të lehtësojë dhe organizojë zgjedhjet në veri, ku do të jenë përfaqësuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës.
"Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha partitë politike, gjithë spektrin politik, për një pjesëmarrje në zgjedhje, sa më masive, të serbëve edhe në veri."
"Ne i kemi dërguar letër baroneshës Ashton për një pjesëmarrje apo monitorim të Bashkimit Evropian për zgjedhjet në gjithë Kosovën, në mënyrë që të kemi një prezencë të BE-së, një prezencë vëzhguese, që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike, të standardit evropian, për çka kam besim të plot se edhe kjo do të ndodhë", ka theksuar Thaçi.
Ai ka thënë se shpreson plotësisht se do të respektohen të gjitha afatet kohore për regjistrimin e partive politike apo lëvizjeve qytetare apo iniciativa qytetare edhe në veri, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 3 nëntorit.
KQZ është duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme.
Gjithashtu është bërë progres edhe sa i përket mbylljes së të gjitha stacioneve policore të strukturave paralele në veri dhe mundësisë së integrimit të qytetarëve serbë që dëshirojnë të integrohen në strukturat e policisë së Kosovës, që pranojnë integritetin, Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe që pranojnë dokumentet e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, sa i përket drejtësisë, sipas tij Kosova do të respektojë në përpikëri marrëveshjen e arritur me 19 prill.
Për energjinë dhe telekomunikacionin, sa i përket Kosovës kjo çështje sipas kryeministrit Thaçi është mbyllur, gjithashtu edhe sa i përket Bashkimit Evropian, baroneshës Ashton.
Ai ka theksuar se pret edhe nga Serbia deri më 8 gusht që të pranohen këto dy marrëveshje të rëndësishme për energjinë dhe telekomunikacionin.
"Takimi tjetër është planifikuar të mbahet në javën e fundit të gushtit, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka informuar kabinetin qeveritar me procesin e tranzicionit të EULEX-it që ka qenë temë e diskutimeve dhe takimeve të zhvilluara në Bruksel dhe për obligimet që dalin nga rezoluta e miratuar dje në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka përmbledhur në katër pika kryesore për Qeverinë: E para, Qeveria e Kosovës do të përgatis një plan në detaj të tranzicionit deri në fund të muajit gusht; E dyta do të përgatiten ndryshimet e nevojshme legjislative; E treta, do të bëhet një rishikim organizativ i organeve të drejtësisë; E katërta, institucionet e qeverisë do të marrin përgjegjësitë dhe duhet të plotësojnë kapacitetet e veta.