Thaçi konfirmon mbajtjen e zgjedhjeve brendapartiake sivjet
Prishtinë, 5 qershor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur të hënën pasdite anëtarët e Kryesisë së partisë së tij.
Larg vëmendjes së medias ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit, ndërsa kryetari i PDK-së, Thaçi, i ka thënë KTV-së shkurt se partia do të hyjë në zgjedhjet e brendshme këtë vit.
Thaçi së bashku me sekretarin për marrëdhënie me jashtë, Enver Hoxhaj, janë drejtuar për në kafe, ndërsa atyre u janë bashkuar edhe kolegë të tjerë partiakë.
Megjithatë jo të gjithë kanë dalë nga takimi i Kryesisë së PDK-së me kryetarin Thaçi. Sekretari i Përgjithshëm, Jakup Krasniqi, ka lëshuar takimin para kohe, ndërsa nënkryetari Fatmir Limaj nuk ka marrë pjesë fare.
KTV-ja ka mësuar se Limaj kishte munguar në këtë mbledhje për arsye shëndetësore, përderisa një anëtar tjetër i Kryesisë në kushte anonimiteti ka deklaruar se mbledhja ka kaluar e qetë.