Thaçi, kërkoi nga Serbia që të heq presionin nga serbët e Kosovës
Prishtinë, 22 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim komisionarin e lartë të OSBE-së për minoritetet, Knut Vollebaek.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e minoriteteve në Kosovë, me fokus të veçantë në kthimin e të zhvendosurve.
Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe rezultatet e arritura dëshmojnë më së miri se Republika e Kosovës është bërë model në rajon për respektimin e të drejtave të njeriut, duke integruar në mënyrën më afirmative të mundshme komunitetet në institucionet dhe shoqërinë kosovare.
Kryeministri Thaçi në takim me Komisionarin e lartë të OSBE-së për minoritete tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon vazhdimisht në inkurajimin e të gjithë të zhvendosurve për tu kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Qeveria është e gatshme që edhe më tej të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, për të përmirësuar pozitën e pakicave theksoi Thaçi.
Kryeministri Thaçi potencoi se Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve evropiane, dhe në këtë kuadër forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë është i një rëndësie të veçantë për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi bëri thirrje sërish tek Serbia që të heq presionin nga serbët e Kosovës dhe të kërkojë nga ta integrimin në institucionet e Kosovës.
Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me mundësi të barabarta dhe afirmative për komunitetet, theksoi kryeministri Thaçi.
Nga ana e tij, Komisionari i lartë për minoritete në OSBE, Knut Vollebaek shprehu bindjen që Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më tej do të angazhohet për integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare, si e vetmja rrugë e prosperitete të Kosovës.