Thaçi kërkoi angazhim në përmbylljen e pavarësisë mbikëqyrur
Prishtinë, 7 mars - E drejtuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi, ka shprehur urimet për 7 Marsin, Ditën e mësuesit, duke përkujtuar se angazhimi dhe kontributi i të gjithë punëtorëve të arsimit në Kosovë ka qenë dhe është i rëndësishëm për procesin e arritjes dhe ndërtimit të lirisë në Kosovë.
Punonjësit e arsimit në Kosovë kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve, që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar kabinetin qeveritar për angazhimet në agjendën e Qeverisë së Kosovës në procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.
Thaçi ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të rrisin angazhimet ne përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga Dokumenti i Presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, në mënyrë që deri në gjysmën e shtatorit, me një ceremoni rasti të përmbyllet procesi i pavarësisë së mbikëqyrur.
Në mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pasurimin e Miellit, si dhe Udhëzimin Administrativ për procedurat, kriteret dhe metodologjinë e përgatitjes dhe miratimit të dokumenteve strategjike dhe planeve për zbatimin e tyre.
Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe katër koncept-dokumente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve: Ligjit për Planifikim Hapësinor, Ligjit për Shfrytëzimin, Administrimin dhe Mirëmbajtjen e Ndërtesave në Bashkëpronësi, Ligjit për Kemikate dhe koncept-dokumentin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtje nga Rrezatimi Jo-jonizues, Jonizues dhe Sigurinë Nukleare.