29 Prill 2024

Thaçi: Kemi mbështetje unike amerikane dhe evropiane

Prishtinë, 13 prill - Nën udhëheqjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e 69-të me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Thaçi e informoi kabinetin qeveritar dhe opinionin e gjerë kosovar lidhur me vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kryeministri Thaçi tha se me këtë rast është rikonfirmuar mbështetja e fuqishme e SHBA-ve për shtetin e Kosovës, sidomos në takimet e zhvilluara me Zëvendëspresidentin Joseph Biden dhe sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton.

Kryeministri theksoi se kjo është mbështetje unike amerikane dhe evropiane për hapat e mëtutjeshëm që duhet ndërmarr në reformat e thella në Kosovë. 

“Dua të potencoj, se të gjitha takimet që kemi zhvilluar, edhe me ish-Presidentin Klinton, është një mbështetje e plotë dhe është një ndjenjë e krenarisë amerikane, e atyre njerëzve që kanë investuar në Kosovë në procesin e lirisë dhe pavarësisë, për të arriturat e Kosovës. Por, të gjithë i kemi informuar se edhe ne duhet të bëjmë më tepër, por duhet të vazhdohet një fokusim konkret amerikan në Kosovë. Ne kemi prezantuar vizitonin tonë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për integrim në NATO, BE dhe OKB.” ka theksuar kryeministri.

Kryeministri Hashim Thaçi poashtu bëri të ditur se gjatë këtyre takimeve është diskutuar edhe çështja e situatës në veri të Mitrovicës, dhe se është kërkuar angazhim shtesë edhe i KFOR-it, EULEX-it dhe institucioneve tjera për të shtrirë rendin dhe ligjin edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. 

Pos kësaj, kryeministri Thaçi njoftoi se një delegacion kosovar së shpejti do të vizitojë Uashingtonin për të diskutuar aspektet e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për ardhjen e investitorëve amerikanë në Kosovë. Kjo gjë u arrit pas një takimi që kryeministri Thaçi e zhvilloi me Sekretarin e Departamentit për Tregti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bryson.

Mundësia e investimeve të reja në Kosovë nga biznesmenë amerikanë ishte temë e takimit edhe me ish sekretaren amerikane, Madeleine Albright dhe me Guvernatorin e Denverit – theksoi Thaçi.

Një nga takimet më të rëndësishme të Kryeministrit Thaçi në SHBA mbetet takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, zotëri Ban Ki Mun.

“Edhe zotëri Ban Ki Mun përshëndeti të arriturat në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë e mbështetjes së Kosovës, por edhe zotimin që ne shprehëm që në të ardhmen e afërt të jemi pjesë e OKB-së” theksoi kryeministri.

Pas vizitës në SHBA, edhe me t’u kthyer dje në Stamboll, kryeministri Thaçi ka pasur një takim me baroneshën Catherine Ashton, ku temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në Kosovë. Kryeminsitri Thaçi edhe njëherë ritheksoi se nuk do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë.

Por, sipas tij, është kërkuar nga organizatat ndërkombëtare që të krijojnë kushte të përshtatshme që qytetarëve me dyshtetësi t’u krijohet hapërisa e nevojshme për të marrë pjesë në votim.

Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë angazhim më të madh për procesin e përmbylljes së pavarësisë, pasi një gjë e tillë nuk është obligim vetëm i Qeverisë apo e një subjekti, por edhe e Kuvendit të Kosovës, e partive politike dhe e të gjithëve.

“Çdo garë ndërpartiake në këtë proces do të vonojë në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Dhe kjo vonesë eventuale e përmbyllje së mbikëqyrjes së pavarësisë, do t’i kushtojë të gjithëve, jo vetëm një partie,  jo vetëm një formacioni të caktuar, do t’i kushtojë shtetit të Kosovës, të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjitha do të vonojë integrimin euroatlantik të Kosovës” theksoi kryeministri ai. 

Lidhur me incidentin e arrestimit të dy policëve kosovarë nga Serbia, kryeministri Thaçi tha se Policia e Kosovës ka autoritetin e vet kushtetues dhe ligjor për të vepruar. 

“Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Kosovës, apo dinjitetin e uniformës së policiës së Kosovës, policia e ka mandatin të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe” theksoi kryeministri.

Kryeministri Thaçi i shprehu ngushëllime familjes Haradinaj për vrasjen e Selver Haradinajt, duke pohuar se do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të ardhur deri tek e vërteta rreth këtij akti kriminal. Gjatë mbledhjes, Qeveria ka ndarë 9.500 euro ndihmë për familjen e Selver Haradinajt nga Mitrovica.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për blerjen e pajisjeve për qëllime të veçanta për institucionet e sigurisë,  të përcaktuar me nenin 3 të Ligjit për Prokurim Publik. Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet e autorizuara të sigurisë ka hartuar listën e autorizuar me pajisje për qëllime të veçanta.

Qeveria ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Grupit Ndërministror për Decentralizim në bazë të një propozimi të MAPL. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka propozuar që Mandati i Grupit Ndërministror për Decentralizim të zgjatet deri me 30 shtator 2012.

“Synimi strategjik i Qeverisë së Kosovës është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv të pushtetit lokal në të gjithë territorin e saj që do të sigurojë kushte të mira jetese për të gjithë qytetarët e saj duke i kushtuar kujdes përkatës nevojave të posaçme dhe brengave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, theksoi zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)