Thaçi ka udhëtuar sot për në Hungari
Prishtinë, 8 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare dyditore në Hungari, ku do të takohet me krerët e shtetit hungarez.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó, me të cilin do të nënshkuajnë marrëveshjen për zhvillim ekonomik.
Gjithashtu, me autoritetet hungareze, zëvendëskryeministri Thaçi do të nënshkruajë edhe marrëveshjen për transport rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.
Ditën e parë të vizitës zyrtare në Hungari, zëvendëskryeministri Thaçi do ta përmbyll me një ligjëratë publike të titulluar Jetësimi i perspektivës euroatlantike të Kosovës, të organizuar nga Instituti për Punë të Jashtme i Hungarisë.
Ndërsa, në ditën e dytë të vizitës, zëvendëskryeministri Thaçi do të pritet edhe nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán, me të cilin do të zhvillojë një takim bilateral.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të përmbyll vizitën e tij zyrtare në Hungari me një takim bilateral edhe me kryetarin e parlamentit hungarez, László Kövér.