02 Maj 2024

Thaçi: Ka përfunduar koha kur Serbia ka bërë plane për Kosovën

Prishtinë, 8 shkurt - Nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 60-të e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka folur lidhur me situatën e fundit të shkaktuar nga moti në Republikën e Kosovës.
 
Për t’u përballur me këtë situatë, kryeministri Thaçi ka theksuar se Qeveria ka punuar pa ndërprerë, duke vënë në lëvizje të gjitha shërbimet dhe mekanizmat.

“Jemi duke ndërmarrë të gjitha masat për të përballuar këtë vështirësi. Qeveria ka ngritur nivelin e gatishmërisë dhe mekanizmave qeveritarë për të shfrytëzuar tërë potencialin që kemi për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve” – ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se përkundër kësaj gjendje të rëndë, situata ka qenë dhe vazhdon të mbetet nën kontroll, ku të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme.

Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme ka theksuar po ashtu se Qeveria i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rritjes së kapaciteteve për furnizim të mjaftueshëm me energji, përmes shtimit të prodhimit apo importit të shtuar të energjisë.

Në përmbyllje të kësaj çështjeje, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar të gjitha ministritë, që kanë marrë masat e domosdoshme për përballimin e kësaj gjendjeje të shkaktuar nga temperaturat e ulëta, ka shprehur falënderime për të gjithë qytetarët që po kontribuojnë, si dhe ka vlerësuar lartë rolin mbështetës të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës.

Para kabinetit qeveritar, në mbledhjen e mbajtur sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi edhe njëherë ka bërë të qartë qëndrimin e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit lidhur me planin e fundit katër pikësh të propozuar nga presidenti serb, Tadiq.

“Së pari, ky plan dhe çfarëdo plani tjetër që propozohet nga Serbia është i padiskutueshëm dhe i papranueshëm për ne. Kjo për faktin se Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran dhe vendos vetë për çështjet e veta. Serbia duhet t’a ketë të qartë se nuk duhet të humbasë kohë, as mund për të përgatitur plane për Kosovën. E kaluara jonë me Serbinë është e paharrueshme në kuptimin negativ. Janë të paharrueshme edhe planet që ka pasur Serbia për një shekull të tërë. Serbia në shekullin e kaluar ka përpiluar me qindra plane për Kosovën, të cilat kanë pasur vetëm një qëllim: pushimin e Kosovës dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova” – është shprehur kryeministri Thaçi.
 
“Sot nuk dëshiroj të merrem me të kaluarën, por kam një mesazh të qartë për Serbinë: koha kur Serbia ka bërë plane për Kosovën ka përfunduar dhe nuk do të kthehet më kurrë. Për Kosovën dhe qytetarët tanë vendosim ne dhe bëjmë plane ne, në bazë të Kushtetutës sonë. Ne kemi kushtetutën tonë, të cilën do ta respektojmë në përpikëri” – ka thënë z.Thaçi dhe ka shtuar se “kjo është përgjigja jonë dje sot e nesër”.
 
Në pikat tjera të rendit të ditës, Ministri i Financave Bedri Hamza ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me Vlerësimet e  Borxhit Kreditor të Republikës së Kosovës, që janë bërë nga kompania Standard &Poors.

Hamza ka ftuar ministrat që të bashkëpunojnë në këtë proces, sepse do të ndikojë në tërheqjen e investitorëve nga jashtë. 

Qeveria ka marrë vendim për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare të Pronës. Këta janë Ejup Krasniqi dhe Ismajl Osdautaj.
 
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar Rregullorja për organizimin e brendshëm të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe sistematizimin e vendeve të punës. Kjo rregullore përcakton kornizën ligjore për funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e të gjitha strukturave në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Qeveria ka autorizuar ministrin e Ministrisë së Financave që të aprovojë transfere nga programi shpenzimet e paparashikuara për shumat  individuale të kërkuara deri në vlerë prej 20,000.00 (njëzet mijë) eurove për vitin 2012.
 
Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë që pika e filtrimit të naftës e cila përdoret për motorët me djegie të brendshme e që ndezja e tyre bëhet me komprimim të jetë jetë -25 °C deri në përmirësimin e kushteve klimatike. Sipas këtij vendimi ë obligohen të gjitha kompanitë importuese të naftës që t’i përmbahen kësaj pike, si dhe Trupa Inspektuese e autorizuar nga MTI të monitoroj zbatimin e këtij vendimi.
 
Qeveria ka miratuar propozimin për emërimin e z. Blerim Camaj për kryeshef ekzekutiv të Agjencisë së Regjistrimit Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe z. Sami Dvorani për kryeshef ekzekutiv të Institutit Gjeologjik të Kosovës në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Qeveria ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për shpronësimin e patundshmërive për projektin e Brezovicës.

Qeveria i  ka dhënë përkrahje një fushate promovuese të potencialeve të vendit tonë për investitorët e huaj përmes agjencisë së lajmeve CNN. Sipas ministres Mimoza Kusari – Lila shtrohet nevoja për vazhdimin e promovimit qoftë në nivelin politik qoftë në atë të investimeve. “Kjo kampanjë do të fillojë më 17 shkurt në 4 vjetorin e pavarësisë. Lidhur me këtë janë bërë edhe koordinimet e nevojshme me Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës”, ka thënë znj. Kusari Lila. 

Qeveria ka përkrahur iniciativën për themelimin e Komisionit qeveritar për njohjen e statusit për ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik. Komisioni do të ketë këtë përbërje: Rrahim Rama (MD), Basri Ibrahimi (MPMQS) përfaqësuesi i MSH, një deputet i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni nga Shoqata e të burgosurve politik dhe z. Mazllum Baraliu nga  Shoqata e Juristëve të Kosovës.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci  para kabinetit qeveritar ka sqaruar disa zhvillime të fundit për njërin nga raportet që ka qarkulluar për ndotjen e tokave bujqësore në  Kosovë.

“Sot kemi pasur prezantimin publik të këtij raporti ku edhe zyrtarët e KE-së kanë konstatuar se raporti në fjalë dhe të gjeturat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ushqimin, prodhimin dhe shëndetin publik dhe ajo që është plasuar si rezultat i disa personave të përgjegjshëm , një tentim sensacioni është shndërruar në panik. Nuk ka hapësirë minimale për të pasur panik. Prodhimet tona janë cilësore të sigurta dhe të shëndetshme”, ka thënë ministri  Stavileci .

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)