Thaçi i vë syrin Presidencës
Prishtinë, 22 nëntor - Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka përmendur Presidencën në kontekst të ndërtimit të institucioneve të reja pas marrëveshjes së arritur për koalicion në mes partisë së tij dhe LDK-së.
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i PDK-së ka thënë të premten në ceremoninë e vënies së gur themelit të Fabrikës për përpunimin e ujit në Shkabaj se grupet punuese të dy partive janë duke punuar për ndarjen e pushtetit ekzekutiv.
Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka komentuar deklaratën e Thaçit për institucionin e presidentit, sikur që të mbyllur për medie kanë qenë edhe përfaqësuesit e dy partive të angazhuara në grupet punuese.
E çështja e Presidencës jo vetëm që është e lidhur me mandatin 5-vjeçar që i garantohet me Kushtetutën e Kosovës, por edhe se presidentja, Atifete Jahjaga, aty është vendosur me propozimin amerikan dhe me miratimin formal të Kuvendit të Kosovës.
Edhe koalicioni i fundit PDK-LDK vlerësohet të jetë arritur pas presionit ndërkombëtar, ashtu siç janë marrë shumë vendime të rëndësishme për vendin, në 15 vjetët e fundit.
Në mbrëmjen e 19 nëntorit, në zyrën e presidentes Jahjaga, aty ku thuhet se u arrit në parim marrëveshja, ishte e pranishme edhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. /Koha Ditore/