Thaçi i gatshëm të takohet me kryetarët e komunave të veriut
Prishtinë, 11 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime tjera nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka shpreh edhe një herë falënderim për gjithë spektrin politik dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për nivelin e organizimit të zgjedhjeve lokale me 3 nëntor dhe 1 dhjetorë, që janë vlerësuar me standarde të larta ndërkombëtare.
Zgjedhjet u organizuan në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ku u zgjodhën liderët legjitimë edhe në katër komunat në veri të Mitrovicës. Unë pres që në të ardhmen e afërt, të takohem dhe të bisedojë për mundësitë që Qeveria e Republikës së Kosovës ka për tju ndihmuar, për të investuar në projektet të rëndësishme për ndërrimin e gjendjes për të mirë edhe në atë pjesë të Kosovës, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri ka vlerësuar angazhimin e të gjithë spektrit politik në Republikën e Kosovës për përmbylljen e reformës zgjedhore.
Zgjedhjet lokale ishin mjaft mirë të organizuara, me standard shumë të lartë, por unë kam besim të plotë se me përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore, zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2014, do të jenë të një standardi edhe më të lartë. Ne do të punojmë të gjithë që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur dhe të respektohen përfaqësimi gjinore dhe respektimi afirmativ i minoritarëve, në mënyrë që të vazhdojmë kapitullin e rëndësishëm, atë të integrimit euroatlantik për Kosovën, tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të mbështes reformën zgjedhore që ajo të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm, në mënyrë që ti kemi përgatitjet profesionale në mënyrë që KQZ-ja të ketë mundësi, hapësirë dhe kohë për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme gjatë vitit të ardhshëm.
Jam optimist që ky proces do të përmbyllet me kohë, mirë dhe me një konsensus të plotë të spektrit politik kosovar ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë.
Vendimi parë në mbledhjen e sotme ishte miratimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të përkohshëm në territoret e shteteve të treta. Marrëveshja është pjesë përbërëse e Projektligjit dhe do të zbatohet nga ana e të dyja vendeve.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar tri rregullore të organizimit të brendshëm dhe të sistematizimit të vendeve të punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme; në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; si dhe në Ministrinë e Infrastrukturës.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësime, për interes publik, të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit, për nevojën e ndërtimit të Kompleksit Memorial Kulla e Zahir Pajazitit në fshatin Orllan, komuna e Podujevës dhe të Kompleksit të varrezave të dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares në Koshare komuna e Gjakovës.
Gjithashtu është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimet me interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë Mitrovicë.
Qeveria ka aprovuar edhe vendimin për miratimin e listës së përbashkët të mallrave me përdorim ushtarak të cilat i nënshtrohen kontrollit shtetërorë të importit dhe eksportit. Departamenti për mallrat Strategjike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Komisioni për licencimin e mallrave dhe shërbimeve strategjike do të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndërprerjen e ruajtjes dhe sigurisë së objekteve qeveritare nga Policia e Kosovës, të cilat janë vlerësuar me shkallën zero (0) të rrezikshmërisë. Policia e Kosovës ka vlerësuar se angazhimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, 126 zyrtarë policorë, në sigurimin e këtyre objekteve nuk përkojnë fare me objektivat dhe misionin e Policisë së Kosovës. Sipas vendimit, duke filluar nga 1 janari 2014, Policia nuk do të ofrojë shërbimet e sigurimit të objekteve zyrtare, ku është vlerësuar shkalla zero (0) e rrezikshmërisë së tyre.
Sipas nevojës, këto ministri dhe institucione, mund të organizojnë sigurimin e objekteve të tyre përmes angazhimit të kompanive private apo nga burimet e brendshme njerëzore të tyre.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka rekomanduar që kuadrot që dalin nga Skema e Profesionistëve të rinj, që bashkë financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian, të angazhohen në detyra dhe përgjegjësi në ministri dhe agjencione të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria ka emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencionit të Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashin.