16 Janar 2025

Thaçi i dorëzoi Veseli projektligjin për Ushtrinë e Kosovës

Prishtinë, 7 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ia ka dorëzuar kryeparlamentarit Veseli projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky projektligj, i cili Forcën e Sigurisë së Kosovës e bën ushtri, është iniciuar prej presidentit Thaçi dhe është përgatitur nga Zyra e Presidentit në bashkëpunim me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kjo iniciativë ligjore e imja për avancimin e rolit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës është e domosdoshme dhe bëhet me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore të Republikës së Kosovës, si dhe kontribuon në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se tre vjet më parë, në përputhje me rekomandimet e procesit të Rishikimit të Sektorit të Sigurisë, e kishte paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Duke iu referuar procesit të transformimit të FSK-së, presidenti Thaçi tha se do donte që ky transformim të ndodhte ashtu siç jemi përpjekur gjatë tri vjetëve që kaluan, por një gjë e tillë nuk është arritur të bëhet për shkak se deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë e kanë bërë të qartë me dhjetëra herë se kurrë nuk do t’i votojnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që mundësojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Ky realitet i hidhur është për keqardhje, aq më tepër kur dihet se ky qëndrim kundër ndryshimeve kushtetuese e ka origjinën në Serbi. Kosova nuk mund ta lë fatin e vet në mëshirë të askujt”, u shpreh presidenti Thaçi.

Për emrin e ushtrisë së Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se është e rëndësishme përmbajtja dhe jo simbolika që ndërlidhet me emrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Për mua si President dhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, më e rëndësishme se simbolika, e cila ndërlidhet me emrin është përmbajtja”, theksoi presidenti Thaçi.

Në këtë kontekst, presidenti Thaçi tha se vetëm një gjë ka rëndësi thelbësore për qytetarët dhe shtetin.

“Kosova përfundimisht po e krijon ushtrinë e saj!”, u shpreh ai.

“Personalisht ndjehem shumë mirë me emrin Forca e Sigurisë së Kosovës dhe mendoj se ky emërtim është shumë adekuat për ushtrinë e Kosovës, sepse qytetarët e kanë tashmë në zemrat e tyre”, shtoi presidenti Thaçi.

Ndryshimet në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë Forca e Sigurisë së Kosovës në përputhje me ligin e ri, presidenti Thaçi tha se do ta bëjnë Forcën e Sigurisë së Kosovës një ushtri moderne shumetnike, profesionale, me karakter mbrojtës, e cila do të dizajnohet për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.

“Ky transformim i natyrshëm ligjor është krejtësisht kushtetues dhe i domosdoshëm në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të filloj edhe zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO”, theksoi ai.

“Shtetet fqinje të cilat kanë ushtritë e tyre duhet ta kuptojnë këtë transformim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, si një hap krejtësisht normal të një shteti sovran dhe të pavarur”, shtoi presidenti Thaçi.

Ai sqaroi se misioni i NATO-s, respektivisht i KFOR-it në Kosovë do të vazhdoj të funksionoj si zakonisht dhe ky transformim nuk do të ketë implikim në misionin dhe detyrat e KFOR-it në Kosovë.

 

Duke e konsideruar ditën e sotme ditë të mirë për Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj, kryeparlamentari Veseli paralajmëroi se do të ftojë nesër Kryesinë e Kuvendit, për ndërmarrjen e hapave të mëtutjeshëm dhe procedim të projektligjit bazuar në procedurat e Kuvendit.

“Nëpërmjet transformimit të FSK-së, Kosova nuk do të jetë më konsumues i paqes në rajon, por kontribuues saj."

"Shumica e kadetëve të FSK-së janë duke u trajnuar nëpër vendet më prestigjioze të botës. FSK-ja do të jetë partner i sigurt për NATO-n dhe të gjitha etnitetet në Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit vlerësoi se Kosova ka nevojë për rrumbullakimin e identitetit të saj shtetëror.

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon misionin, funksionimin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, organizimin e saj dhe çështje të tjera që ndërlidhen me aktivitetet dhe kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)