Thaçi fton liderët për formimin e institucioneve
Prishtinë, 26 gusht - Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar lideri i PDK-së, Hashim Thaçi. Ai nëpërmjet profilit të tij në Facebook, ka ftuar liderët e partive tjera që të ngrihen mbi interesat e ngushta partiake.
Ja postimi i plotë i Hashim Thaçit në Facebook.
Tani le të punojmë bashkërisht për të implementuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit. PDK-ja si fituese e këtyre zgjedhjeve do të punojë me vullnetin gjeneroz dhe frymën mirëkuptuese me spektrin politik kosovar.
Sot është momenti që secili lider dhe secila parti të ngrihet mbi interesat e ngushta në interes të shtetit dhe gjithë shoqërisë.
Të ndërtojmë pa humbur kohë institucione të qëndrueshme me bazë sa më të gjerë. Publikimi i vendimit të sotshëm të Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar qartë se si duhet të vijojë procesi i ndërtimit të institucioneve në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.