Thaçi ftohet në Forumin e Oslos
Prishtinë, 14 qershor - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, është ftuar për të marrë pjesë në Forumin e Oslos. Ai gjatë këtij forumi pritet që me liderë botërorë të diskutojë për vendosjen e paqes globale.
Jam i ftuar për të marrë pjesë në Forumin e Oslos, në fillim javë, ku me liderë botërorë do të diskutojmë për vendosjen e paqes globale. Do të takohem edhe me ministrin e Jashtëm norvegjez Børge Brende, me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, si dhe do ta mbajë një ligjëratë në Institutin Norvegjez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (NUPI), ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Gjatë qëndrimit dyditor në Oslo, zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Børge Brende, me ministrin për Zonën Ekonomike Evropiane dhe për Çështje të BE-së, Vidar Helgesen, si dhe me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Norvegjisë në Stortinget.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të shoqërohet edhe nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Gjithashtu, Thaçi do të mbajë edhe një ligjëratë në Institutin Norvegjez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, kurse në fund do të marrë pjesë në Forumin Oslo 2015.