Thaçi: Fletëvotimet me një logo
Prishtinë, 30 gusht - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar arritjen e kompromisit me Beogradin për logon që do të përdoret në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Ai ka thënë se fletëvotimet do të kenë një logo, e cila, sipas tij, mund të mos jetë atraktive dhe së cilës nuk do ti duartrokitet, por me rëndësi është që ajo të jetë e ligjshme dhe e pranueshme për të gjithë.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Thaçi e ka cilësuar si historik procesin zgjedhor të 3 nëntorit dhe pritjet që në këtë proces të përfshihen edhe komunat veriore dhe komuniteti serb i atjeshëm, që përbën popullatën shumicë.
Dokumentet zgjedhore, në kuadër të tyre edhe logoja, do të jenë të ligjshme. Ndoshta nuk do të jenë shumë atraktive dhe të duartrokitura politikisht, por do të jenë të pranueshme për të gjithë. Ne duhet të mendojmë për rëndësinë historike të organizimit të zgjedhjeve në gjithë territorin dhe pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve, është shprehur Thaçi.