07 Maj 2024

Thaçi: Epopeja e UÇK-së sublimon vlera kombëtare

Prishtinë, 6 mars - Në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nderoi figurat më të shquara të luftës çlirimtare të Kosovës, duke bërë homazhe tek shtatoret e komandantëve të UÇK-së.

“Ne po shënojmë ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Epopesë që i solli lirinë dhe pavarësinë vendit tonë, Epopesë që grumbulloi dhe bashkoj gjithë energjitë pozitive për liri, për çlirim, epope që bashkoi të gjithë shqiptarët kudo që jetonin dhe jetojnë sot, Epope që sublimon vlera kombëtare” theksoi kryeministri Thaçi në nisjen e homazheve.

Ndalesa e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ishte shtatorja e komandantit të UÇK-së, Heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë. Me këtë rast, kryeministri Thaçi çmoi lartë luftën, punën, sakrificën dhe heroizmin që e bëri ky komandant, duke shpërndarë mezashin tek të gjithë se pa luftë të armatosur nuk mund të çlirohet Kosova. 

“Ne sot nderojmë dëshmorët e lirisë, komandantët e UÇK-së, nderojmë të gjitha ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, me mesazhin e marrjes së energjive për të ardhmen, për të integruar Kosovën sa më shpejt në NATO dhe Bashkim Evropian” tha kryeministri Thaçi.

Më pas, kryeministri Thaçi vizitoi varrin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari. Kryeministri tha se sakrifica e tyre nuk do të harrohet. “Familja Jashari ka dhënë shumë për këtë vend. Sakrifica e tyre do të nderohet për jetë” tha Thaçi.

Këto ditë ne po shënojmë Epopenë Çlirimtare të Kosovës, sakrificën e familjes Jashari, nderojmë dhe respektojmë jetën dhe veprën e kryeheroit, komandantit legjendar Adem Jasharit. Çdo herë që ne nderojmë të kaluarën, luftën e UÇK-së, rezistencën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ne nderojmë të sotmen, marrin energji për të ardhmen, për të konsoliduar dhe forcuar shtetin tonë,për të integruar në NATO dhe BE – theksoi kryeministri Thaçi dhe shtoi se “jeta dhe vepra e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrifica e familjes Jashari, e gjithë dëshmorëve të lirisë, bëri që të bashkohemi të gjithë në luftë për liri, të bashkohemi të gjithë si shqiptarë kudo që jetonim, në Shqipëri, qoftë në Mal të Zi, në Preshevë, në Ulqin dhe diasporë, në Evropë dhe SHBA”.

Ky bashkim i gjithë shqiptarëve, bëri që edhe komuniteti ndërkombëtar, SHBA-ja, vendet e BE-së, NATO të jenë në mbështetje të së drejtës sonë, në mbështetje të lirisë, në mbështetje të përpjekjeve tona, të sakrificave tona, të luftës sonë për liri, në mbështetje të UCK-së, popullit të Kosovës, dhe me 10 qershor të fitojmë lirinë, të çlirohemi, e tani të luftojmë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë. Pra, ky përkujtim është një përkujtim dhe nderim për të kaluarën, por më tepër marrje e energjive për të ardhmen – u shpreh kryeministri Thaçi në Prekaz.

Pasi bëri homazhe dhe vuri kurorë para shtatores së heroit Mujë Krasniqi në Klinë, kryeministri Thaçi tha se  rënia e tij ka  qenë heroike në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Tash ne po ndërtojmë autostradën dhe po bashkojmë dhe integrojmë trevat ku jetojnë shqiptarët dhe kujtojmë me respektin më të lartë dëshmorët, heronjtë dhe komandantët e UÇK-së dhe rezistencën gjithë popullore  të Kosovës. Tash jemi duke punuar për forcimin dhe konsolidimin e shtetit tonë që është duke u bërë me angazhimin e të gjithëve, të frymës pro perëndimore të politikës kosovare gjithmonë duke e respektuar të kaluarën dhe duke marrë energji për të ardhmen” – tha kryeministri Thaçi në Klinë. 

Më pas kryeministri Thaçi bëri homazhe para shtatores së heroit Shkelzen Haradinaj në Pejë dhe shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çekaj në Deçan.

“Çdo vizitë e imja në Gllogjan tek varrezat e dëshmorëve, si dhe takimi me bacin Ilmi, vizita tek varrezat e heronjve të Kosovës, të kësaj treve, të Dukagjinit, për mua është një emocion i veçantë, sepse vizitoj dhe nderoj në mënyrë shtetërore bashkëluftëtarët e mi të orëve të para, Luan dhe Shkëlzen Haradinajn, dhe gjithë bashkëluftëtarët e tjerë të rënë për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, sot ne bëmë nderime shtetërore këtu dhe në gjitha varrezat anekënd Kosovës, me respektin dhe pietetin më të lartë për të rënët, për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, në veçanti për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi në Gllogjan.

Thaçi tha se kjo është ditë edhe e mesazhit për unifikim, për afrim, për tejkalim të çdo kornize politike, në mënyrë që të gjithë siç kemi punuar dje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ku gjithë qytetarët e Kosovës kontribuon për lirinë e saj, të vazhdojmë edhe më tutje të bashkuar të punojmë për shtetin e Kosovës, integrimin, forcimin, zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndërsa në Landovicë, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, Kryeministri Thaçi tha se jemi këtu në përkujtim të dëshmorëve të lirisë, të heronjve të lirisë së Kosovës, të gjithë atyre që ranë për lirinë, pavarësinë e Kosovës, për t’i përkujtuar dëshmorët e komunës së Prizrenit, të rrethit të Prizrenit, të Hasit, të Zhurit, të Vërrinit, gjithë kësaj treve që kontribuojë jashtëzakonisht shumë në mbështetje dhe në angazhimin e drejtpërdrejt në udhëheqjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në bërjen e luftës me sukses.

“Në këtë zonë që ka qenë jashtëzakonisht e ndjeshme në kohën e luftës, si zonë kufitare , por tash po ndodh mrekullia në saje të asaj lufte, gjakut të derdhur për liri, të përpjekjeve të jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë, të gjithë qytetarëve. Këtu pas kemi pamjen e Pashtrikut, që vetëm 12 vjet më herët ndante Kosovën me Shqipërinë, me një gardh të ndërtuar prej ushtrisë, policisë dhe administratës serbe, me armatimin më të rëndë”pohoi z. Thaçi.

\"Sot kemi kufij të hapur, kemi lëvizje të lirë, dhe ato pengesa, ato barrikada që e kanë ndarë Kosovën me Shqipërinë, sot janë zëvendësuar me autostradën e kombit, që po i afron njerëzit, po i afron qytetet, po i afron edhe gjeografikisht viset ku jetojnë qytetarët shqiptarë, në veçanti Prizreni që ka mbetur një orë e gjysmë me Durrësin dhe një orë me Prishtinën, në veçanti tash me ndërtimin e autostradës\", u shpreh kryeministri Thaçi.

Nga këtu kryeministri Thaçi ka drejtuar mesazhe të unitetit dhe të bashkimit.  “Kjo është ditë që secili për një moment duhet të mendoj se ku ishim vetëm në disa vite më parë, në një gjenocid të paparë, dhe ku kemi arritur sot, në Kosovën e pavarur, me 88 njohje , pjesë e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Me Kosovën që po e zhvillojmë, po e ndërtojmë, po e rrisim mirëqenien sociale të qytetarëve”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se “asnjëherë nuk është koha që të vetëkënaqemi, duhet të bëjmë edhe më tepër, dhe unë kam besim të plotë se shteti i Kosovës do të ketë progres të gjithanshëm në mënyrë që të ardhmen e afërt të jetë edhe pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)