Thaçi e njoftoi Jahjagen për takimin me kryeministrin e Serbisë
Prishtinë, 28 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga priti në një takim kryeministrin e Republikës së Kosovës zotëri Hashim Thaçin, i cili e njoftoi për rrjedhën e takimit në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë.
Kryeministri Thaçi i dorëzoi Presidentes dokumentin e nënshkruar, i cili dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, për zbatimin e marrëveshjes të arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe që ka mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për përgatitjen e zgjedhjeve lokale për Asambletë Komunale dhe për kryetarët e Komunave që do të mbahen njëkohësisht në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit, dhe për caktimin e datës së mbajtjes së tyre në harmoni me planin e zbatimit të marrëveshjes brenda afatit të përcaktuar ligjor.