Thaçi e informoi Jahjagen për dinamikën e dialogut
Prishtinë, 10 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi dhe nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Kryeministri Hashim Thaçi e informoi Presidenten për takimin që ka zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe për dinamikën e përcaktuar të dialogut dhe të zbatimit të marrëveshjeve.
Kryeministri Thaçi tha se është me rëndësi fillimi i suksesshëm i zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e përshëndeti fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruara të Kufirit (IBM), të cilën e vlerësoi si një hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke e konsideruar këtë si një të arritur për qytetarët në të dyja anët e kufirit.
Marrëveshja e arritur në dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel e mundëson lëvizjen e lirë dhe të papenguar të qytetarëve dhe të mallrave, si dhe hap perspektivën evropiane për të dyja vendet, të pavarura dhe sovrane.