Thaçi: E ardhmja e Kosovës është evropiane
Prishtinë, 14 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar dokumente dhe vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Kryeministri Hashim Thaçi, duke theksuar faktin, se mbledhja e Qeverisë po zhvillohet në prag të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka shprehur urimet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në emrin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, duke falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se në këto pesë vite, shteti i Kosovës ka arritur që të konsolidohet dhe forcohet çdo ditë e më tepër. Ka fuqizuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar. Kemi arritur rreth 100 njohje nga e gjithë bota demokratike dhe njohje tjera do të vijnë. Jemi anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, politike dhe financiare, në Bankën Botërore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Do të angazhohemi në të ardhmen që të jemi edhe në shumë mekanizma tjerë rajonal e ndërkombëtar.
Kryeministri Thaçi ka theksuar se kjo periudhë ka pasur edhe ballafaqime jo të lehta për të gjithë, por të gjithë të bashkuar dhe me një bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, BE-në dhe SHBA-në, do të lëvizim edhe më shpejt, edhe më mirë, edhe më sigurt drejt arritjes së qëllimit dhe vizionit për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
Në këtë 5 vjetor jemi në një proces pozitiv, atë të përmbylljes së konfliktit një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë. Në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi, proces ky, që duam të besojmë, se nën udhëheqjen e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të përmbyllet me njohje reciproke nga të dyja vendet. Dhe, do të kemi një rajon të evropianizuar, ka thënë kryeministri në fjalën e hyrjes në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Transplantimin e Indeve dhe të Qelizave.
Me këtë Projektligj përcaktohen rregullat dhe procedurat për prodhimin, kontrollin e cilësisë, klasifikimin, autorizimin për marketing, regjistrimin, importin, tregtinë, farmakovigjilencën, hulumtimet klinike, mbikëqyrjen, dhe përcaktimin e çmimeve produkteve medicinale për përdorim te njerëzit dhe për prodhimin, kontrollin e cilësisë, klasifikimin, regjistrimin, vigjilencën, hulumtimet klinike, mbikëqyrjen dhe përcaktimin e çmimeve pajisjeve medicinale për përdorim te njerëzit në Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Rregulloren për Bordin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Udhëzimin Administrativ për Stemën e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent dhe Strategjinë dhe Planin e Veprimit për kontrollimin dhe mbledhjen e armëve të vogla dhe të lehta për vitin 2013-2016.
Edhe Strategjia për Decentralizimin e Shërbimeve Sociale 2013-2017 është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Ky dokument strategjik përmbledh rezultatet finale të procesit për Decentralizimin e Shërbimeve Sociale.
Ky dokument strategjik paraqitet si një produkt final i aktiviteteve të konsultimeve me palët e interesit. Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe vendimin për themelimin e Komisionit për Mirëqenie, Përfshirje Sociale dhe Decentralizim me përfaqësues të ndryshëm institucional dhe nga donatorët.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar Korniza e Ndërveprimit në Republikën e Kosovës që del si obligim nga gjendja aktuale e qeverisjes elektronike dhe teknologjisë së informacionit, si dhe rrjedh nga detyrimet e marra sipas Strategjisë së e-Qeverisjes dhe Planit të Veprimit për implementimin e kësaj strategjie.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Grupit Punues për menaxhimin e projektit Sistemi i Integruar Informativ për Zhvillim Ekonomik, vendimin për alokimin e mjeteve të bashkëfinancimit në kuadër të programit IPA për vitin 2013.
Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës për aprovimin e nismës së procesit të rishikimit të shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare, është themeluar edhe Komitetit Drejtues për realizimin e rishikimit të Shpenzimeve Publike dhe Llogaridhënies Financiare (PEFA), në përbërje: Ramadan Avdiu, Zëvendësministër i Financave kryesues i Komitetit Drejtues; Ruzhdi Halili, Drejtor i Zyrës së Planifikimit Strategjik Zyra e Kryeministrit; Hysni Hoxha, Kryesues i Organit Shqyrtues të Prokurimit; Hajredin Hyseni, Zëvendësministër i Administratës Publike dhe Basri Musmurati, Zëvendësministër i Pushtetit Lokal.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale N9 Fushë KosovëArllat-Gjurgjicë dhe N2 Prishtinë-Mitrovicë dhe vendimin për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për vitin 2013, në vlerë prej 148,176.00 .
Me propozimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në emër të Këshillit Organizativ për shënimin e pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Qeveria ka aprovuar vendimin për mbështetjen financiare të aktiviteteve dhe manifestimeve që do të zhvillohen gjatë 15, 16 dhe 17 shkurtit. Për këtë qëllim qeveria ka ndarë 100 mijë euro.
Qeveria ka ndarë mjete edhe për mbështetjen e finalizimit të projektit për fillimin e transmetimit të RTK-2, kanali televiziv në gjuhën serbe.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka kërkuar dhe ka fituar mbështetjen e kabinetit qeveritar, që në të ardhmen të përfshihet në kuadër të dialogut teknik me autoritetet e Beogradit në çështjet që kanë të bëjnë me kompensonin e pensioneve të papaguara të qytetarëve shqiptarë.