Thaçi: Duke mbrojtur Kushtetutën, mbrojmë Republikën
Prishtinë, 26 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të vitit të shtatë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese.
Për ta mbrojtur rendin tonë kushtetues, presidenti Thaçi ka thënë se ishte më se i domosdoshëm krijimi i një organi të pavarur të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, i cili do të bënte edhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Këtë detyrë dhe këto obligime po i përmbush me sukses Gjykata Kushtetuese, ka thënë presidenti Thaçi.
Efekti i vendimeve të kësaj gjykate, në kuptimin e fuqisë së tyre juridike, sipas presidentit Thaçi, është përfundimtar dhe ato nuk mund ti nënshtrohen rishikimit nga cilido institucion apo mekanizëm shtetëror.
Zbatimi i këtyre vendimeve, duke filluar nga presidenti e deri tek të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ka treguar dhe po tregon se Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë, është shprehur presidenti Thaçi.
Në këtë mënyrë, ai ka thënë se po ndërtojmë fuqishëm konceptin e Kosovës si shtet kushtetues, ku parimet kushtetuese po gjejnë shprehje në vendimet dhe veprimet e të gjitha institucioneve dhe autoriteteve shtetërore.
Ruajtja e reputacionit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe ruajtjen e reputacionit dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës. Duke mbrojtur Kushtetutën ju mbroni Republikën, mbroni qytetarët dhe mbroni institucionet, ka thënë presidenti Thaçi.
Si President i Republikës së Kosovës, ai ka theksuar se funksionimi dhe efikasiteti i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë edhe nga nivelet tjera të gjyqësorit.
Në ceremoninë e shënimit të vitit të shtatë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese, përveç presidentit Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të shumtë të korit diplomatik në Kosovë.