Thaçi: Do të formojmë institucione kredibile
Ai në kuadër të takimeve të rregullta javore të punës, ka biseduar me ambasadoren amerikane, Tracey Ann Jacobson, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Me këtë rast, Thaçi ka falënderuar ambasadoren amerikane për ndihmën e madhe që ka dhënë i gjithë stafi i kësaj ambasade gjatë gjithë këtij procesi.
Ai gjithashtu ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor, do të ndërmerren veprimet e menjëhershme politike në përputhje me ligjet dhe kushtetutën për formimin e institucioneve të reja dhe kredibile në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e qershorit.
Në kuadër të këtyre takimeve të rregullta javore, Hashim Thaçi, ka takuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff dhe ambasadorin e Gjermanisë, Peter Blomeyer me të cilët po ashtu ka biseduar për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor dhe formimin e institucioneve të reja kredibile në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.