Thaçi do ta informojë Kuvendin rreth takimit me Daciqin
Prishtinë, 29 tetor - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është konfirmuar, por edhe plotësuar rendi i ditës për mbledhjen e rregullt plenare të Kuvendit, e cila në mbledhjen e kaluar qe vendosur të mbahet, këtë të enjte, më 1 nëntor.
Pas shterimit të pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, si dhe votimit nga deputetët të projektligjeve që kanë të bëjnë me raportet e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar ( të shqyrtuara kohë më parë) Kuvendit do ti drejtohet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për ta informuar lidhur me takimin e tij me kryeministrin e Serbisë.
Megjithëse shumica e shefave dhe e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, pjesëmarrës në këtë takim, kanë mbajtur qëndrim se pas fjalës së kryeministrit duhet të zhvillohet debat parlamentar për një çështje kaq madhore, siç janë bisedimet politike me Serbinë, kryesuesi i mbledhjes ka theksuar se kryeministri ka shprehur gatishmërinë ta njoftuar Kuvendin për fillimin e bisedimeve, duke shtuar se proceduarat për debat parlamentar janë të tjera.
Është lënë mundësia, madje, që çështja nëse do të ketë debat apo jo, të shtrohet në fillim të seancës.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Projektligji për kontrollin e duhanit, Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për sistemin e pagesave, si dhe Projektligji për zonat ekonomike.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme.
Në të njëjtën seancë deputetët do të shqyrtojnë: Raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës, si dhe Rekomandimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve në Bordin për Ankesa të Mediave.
Me kërkesë të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ( për shkaqe familjare) shtyhet për seancën tjetër shqyrtimi i Raportit vjetor të Auditimit për vitin 2011.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është pohuar se kërkesa e deputetit Ramë Vataj, mbështetur edhe nga tetëmbëdhjetë deputetë të tjerë, për debat parlamentar lidhur me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është thënë se i plotëson kushtet formale-juridike për ta radhitur në seancë plenare, por rekomandimet e propozuara në këtë kërkesë, janë vlerësuar si cenim i pavarësisë së ASHAK-së dhe përzierje në aktivitetin zgjedhor të institucionit më të lartë shkencor të vendit. Çështja është lënë të shqyrtohet edhe një herë nga Kryesia.
Duke diskutuar lidhur me formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës, është bërë me dije se Menaxhmenti i RTK-së i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës dosjen me të gjitha aplikacionet e kandidatëve për anëtarë të Bordit, prandaj autorizohen grupet parlamentare që, deri të enjten, ti propozojnë nënë anëtarë të Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së (PDK-ja dhe LDK-ja nga dy kandidatë, kurse grupet e tjera parlamentare nga një kandidat).