Thaçi diskuton me banorët detajet e themelimit të komunës së Hasit
Prishtinë, 27 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pati një takim të veçantë me përfaqësuesit e fshatrave të rajonit të Hasit, për të diskutuar më ta për detajet e themelimit të komunës së Hasit, sipas vendimit të marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Thaçi, duke respektuar kontributin e madh të njerëzve të Hasit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka thënë se tema e formimit të komunës së Hasit nuk ka lindur para një muaji, por ka qenë ide e vetë banorëve të kësaj zone.
Megjithëse formimi i kësaj komune ka qenë premtim i të gjitha partive politike që nga paslufta, kryeministri Thaçi ka theksuar se kjo zonë ka mbetur anash në investime, prandaj edhe është në interes të të gjithëve krijimi i mundësive që investimet në këtë zonë të bëhen drejtpërdrejt, e jo përmes komunës së Prizrenit dhe Gjakovës.
Ideja për formimin e komunës së re, nuk është kritikë ndaj askujt, ndaj asnjë qeverie, ndaj asnjë partie, por është në interesin e qytetarëve pa dallim partiak, pa dallim territorial. Hasi është një gjeografi e madhe. Unë kam dëgjuar me vëmendje të gjitha diskutimet që i keni pasur me zëvendëskryeministrin dhe zëvendësministrin.\"
\"Për këtë arsye, kam pasur dëshirë që tiu takoj juve dhe bashkërisht të marrim një vendim, se si të procedohet në Kuvend të Kosovës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndryshimet në Ligjin për Kufijtë Administrativ ka theksuar kryeministri Thaçi.
Pas shumë diskutimeve, Kryeministri Thaçi ka prezantuar që të themelohen dy komuna të veçanta dhe ajo është përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit e fshatrave të rajonit të Hasit.
Menjëherë pas takimit, këtë vendim kryeministri Thaçi e ka bërë të ditur në një konferencë për media, ku është paraqitur i shoqëruar nga përfaqësuesit e hasjanëve nga komuna e Prizrenit dhe ajo e Gjakovës.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e rajonit të Hasit, përkatësisht të komunave në themelim, Rogovës dhe Gjonajve, në konferenën për media kanë shprehur falëmnderimet e tyre dhe të qytetarëve të rajonit të Hasit për nismën dhe vendimin e Kryeministrit Thaçi për formimin e komunave të reja në rajonin e Hasit.
Dëshira e gjithë hasianëve ishte që të krijohej një komunë e vetme, por për shkak të hapësirës së madhe gjeografike është arritur një konsensus që të themelohen dy komuna të reja, kanë thënë përfaqësuesit e rajonit të Hasit.