Thaçi: Diaspora do të ketë rol kyç në zhvillimin e Kosovës
Prishtinë, 5 qershor - Gjatë vizitës së tij në Suharekë, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka folur edhe për diasporën.
Dihet që Theranda është një ndër komunat që ka nivelin më të lartë të emigracionit, prandaj Thaçi tha se kur flitet për Misionin e Ri të zhvillimit të Kosovës, nuk ka se si të mos merret në konsideratë potenciali i jashtëzakonshëm i një të tretës së popullsisë tonë që jeton jashtë vendit.
Ka ardhur koha, që përvojat e çmueshme të bashkatdhetarëve tanë të vihen në dispozicion të zhvillimit ekonomik, ka thënë Thaçi.
Misioni i Ri është hartuar me bindjen se Kosova ka nevojë edhe për përvojën e diasporës në ekonomitë e zhvilluara të tregut, për ekspertizën në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, për kapacitetin e tyre të sipërmarrjes, për etikën e lartë profesionale që kanë adoptuar, për edukatën në respektimin e institucioneve që kanë fituar në vendet pritëse, për kreativitetin e tyre dhe shpirtin e ndërmarrësisë.
Kryetari Thaçi theksoi gjithashtu se Fondi i Punësimit do të vihet në dispozicion të sipërmarësve të diasporës që janë të gatshëm të kthehen, të themelojnë biznese e të hapin vende të reja të punës në Kosovë. Përveçse si burim investimesh të drejtpërdrejta të huaja, diaspora do të ndihmojë edhe në rritjen e eksporteve kosovare, duke promovuar konsumimin e tyre nga bashkatdhetarët në perëndim.