Thaçi dhe Berisha takohen për koordinim të lobimit për Kosovën
Prishtinë, 3 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë qëndrimit në Shqipëri, do të takohet me kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.
Tema bosht e agjendës së bisedimeve të kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Sali Berisha, do të jetë mbledhja vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, delegacionet e larta të Kosovës dhe Shqipërisë do të koordinojnë aktivitetet lobuese me qëllim të rritjes së numrit të shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës.
Takimi do të zhvillohet në selinë e Këshillit të Ministrave në Tiranë, në ora 12:00.
Kryeministri Thaçi do të bisedojë me kryeministrin Berisha për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve në fushat me interes reciprok.
Bashkëpunimi i dy vendeve, sidomos në këmbimin e përvojave në proceset e integrimeve euroatlantike, do të jetë një nga temat e takimit.