Thaçi dhe ambasadori kanadez flasin për zgjerimin e bashkëpunimit
Prishtinë, 1 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim ambasadorin e Kanadasë në Kosovë, Daniel Maksymiuk.
Presidenti Thaçi ka falënderuar ambasadorin Maksymiuk për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa, ambasadori kanadez Daniel Maksymiuk ka thënë se njëjtë sikurse Kanadaja, edhe Kosova promovon paqen, pajtimin, luftimin e ekstremizmit, prandaj edhe përkrahja nuk mungon.
Në forcimin e vlerave, mbi këto parime angazhohemi edhe ne, ka thënë ambasadori Maksymiuk.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori Maksymiuk kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e ekonomisë dhe sigurisë.
Mundësitë ekzistojnë dhe ne duhet të zgjerojmë bashkëpunimin bilateral edhe në fushën e ekonomisë. Kosova është e hapur për investitorët kanadezë, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se hapësirë për zgjerimin e bashkëpunimit ka edhe në fushën e sigurisë.