Thaçi dënon djegien e veturës së familjes Krasniqi
Prishtinë, 24 shkurt - Lideri i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dënuar ashpër aktin e djegies së makinës së familjes së Memli Krasniqit gjatë natës së kaluar.
Ai ka vlerësuar se ky akt i shëmtuar ka synuar ta terrorizojë familjen Krasniqi dhe ka qenë një mjet shantazhues për tu zmbrapsur prej qëndrimeve dhe bindjeve politike të ministrit Krasniqi. Ky ishte sulm me motive të qarta politike, i cili cenon hapur pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Këto janë disa nga vlerat më të çmuara të shoqërisë dhe nuk do të lejojmë askënd që ti kërcënojë ato nëpërmjet dhunës. Unë i shpreh keqardhjen dhe solidaritetin familjes Krasniqi për ngjarjen e rëndë me të cilën janë përballur dhe i siguroj se të gjithë qytetarët e ndershëm të Kosovës e konsiderojnë atë veprim të papranueshëm dhe të dënueshëm, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në Facebook.
Thaçi u ka bërë thirrje organeve të rendit që ti sjellin para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti. Unë bëj thirrje për një veprim të shpejtë dhe të vendosur të organeve të rendit publik për ti kapur dhe vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të ulët vandal, ka theksuar ai.