Thaçi-Dacic takim normal, mos e bëni mizën buall
Bruksel, 23 tetor - Eurodeputetja gjermane Doris Pack e ka mirëpritur takimin që kanë pasur dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe i Serbisë në Bruksel.
Mirëpo ka porositur të gjithë ata që e quajnë këtë takim si historik, të mos bëjnë vlerësime të tilla, sepse sipas saj tingëllojnë të çmendur
Është budallallëk të thuhet për çdo fjalë dhe çdo proces që është historik. Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënie normale. Pse dëshironi gjëra historike kur juve ju duhen gjëra normale që e bëjnë jetën më të bukur. Nëse ky shtrëngim duarsh është një hap përpara unë do të isha mese e lumtur, ka thënë Pack në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit.
Ajo nuk është ndalur me kaq, por ka porositur edhe që këtij takimi mos ti epet rëndësi më e madhe se sa që është në realitet.
Njerëzit normal dhe të edukuarit shtrëngojnë duart. Nëse ky shtrëngim duarsh është paralajmërues për një dialog politik, këtë nuk e di, por nuk e di as nëse ky shtrëngim duarsh është historik. Mos e bëni mizën buall për gjëra që janë normale, ka përfunduar Pack.