Thaçi bisedë telefonike me kryeministrin e Turqisë, Erdoğan
Prishtinë, 14 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar mbrëmë një bisedë telefonike me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi e ka uruar homologun e tij turk për suksesin e arritur në referendumin kushtetues në Turqi.
Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar suksesin e referendumit në Turqi, si një arritje të re në zhvillimin dhe avancimin e proceseve demokratike të Turqisë dhe në afrimin e mëtejmë të këtij vendi me Bashkimin Evropian.
Gjatë bisedës së zhvilluar, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar kryeministrin Erdoğan për mbështetjen që Republika e Turqisë i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të miratimit të rezolutës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me të cilën u legjitimua shtetësia e Kosovës.
Kryeministri Recep Tayyip Erdoğan në këtë kuadër ka shprehur gatishmërinë e vazhdueshme të Turqisë për të mbështetur Republikën e Kosovës në lobimin për njohje të reja.
Të dy kryeministrat janë angazhuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha sferat në interes të të dyja vendeve dhe dy popujve.
Gjatë bisedës, kryeministri Erdoğan konfirmoi se së shpejti me ftesën e homologut të tij, kryeministrit Thaçi do të vizitojë Republikën e Kosovës.