Thaçi: Ashton ndihmon në implementimin e marrëveshjeve
Prishtinë, 13 mars - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka thënë se Prishtina ka qëndrimet e veta dhe nuk kanë ndryshuar nga ato të mëparshmet, në dialogun që është duke u zhvilluar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai njoftoi se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me zyrtarin amerikan, Philip Reeker, i cili, sipas tij, ka dhënë mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërë procesin që po zhvillohet.
Thaçi duke folur për vizitën e Baroneshës, Catherine Ashton në Kosovë, e ka quajtur një vizitë inkurajuese që do të mund të shtynte implementimin e marrëveshjeve të arritura nga ky dialog.
Shefi i ekzekutivit të Kosovës, ka thënë se procesi është në fazën e rëndësishme përfundimtare të marrëveshjeve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka bërë të ditur se sonte në mbrëmje dhe nesër, Ashton do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, ku është planifikuar që të ketë takime me krerët e institucioneve të Kosovës dhe me një pjesë të liderëve politik.
Sa i përket Prishtinës gjithçka është e qartë, qëndrimet tona do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardeve evropiane.
Përkushtimi i ynë maksimal është normalizimi i gjendjes në veri, fillimi i funksionimit të jetës normale, shpërbërja e plotë e gjitha strukturave të sigurisë, krijimi i kushteve dhe hapësira të përshtatshme për lëvizje të lirë të Republikës së Kosovës.
Fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë, sipas legjislacionit kosovar, në të njëjtën kohë krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve të lira edhe në katër komunat e tjera, kur do të organizohen zgjedhjet e përbashkëta në gjithë Kosovën në nivel lokal, ka theksuar kryeministri Thaçi.