19 Janar 2025

Thaçi: 2014 do të jetë vit i perspektivës evropiane të Kosovës

Prishtinë, 9 janar - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, ka deklaruar se viti 2014, do të jetë viti i fuqizimit të shtetit tonë, i vazhdimit të zhvillimit ekonomik, i krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.

\"2014 do të jetë edhe vit i perspektivës evropiane të Kosovës dhe afrimit edhe me NATO-n. Natyrisht, synimet tona gjithmonë do të jenë që të punojmë maksimalisht për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – theksoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e 164-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e 164-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

 

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra,

Të nderuar qytetarë të Republikës se Kosovës,

 

Sot është një ditë e veçantë edhe për mua, ehe për ju, edhe për qytetarët e Kosovës, politikën kosovare.

 

Kaluan 6 vite të qeverisjes së përbashkët, natyrisht të mandatit të parë, të koalicionit tjetër dhe tash, gjithashtu po hyjmë në vitin e 7 të qeverisjes së përbashkët si partner të koalicionit deh dëshiroj që secilin veç e veç të falënderoj, zëvendëskryeministrin Pacolli, të falënderoj zëvendëskryeministrin Bukoshi, zëvendëskryeministrin Petroviq, ministrin Yagxhilar, ministrin Agani, të gjithë partnerët dhe mbështetësit e qeverisjes sonë.

 

Kanë qenë këto vitet e rëndësishme të shtetbërjes, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë.

 

Ishin vite të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur, demokratik  dhe sovran.

 

Sot kemi arritur të bëjmë pavarësinë e Kosovës, të njohur nga shumica e vendeve të botës, 104 prej tyre, të anëtarësojmë shtetin tonë në organizata ndërkombëtare me peshë, si në, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe zhvillim, si dhe në shumë organizata rajonale dhe ato ndërkombëtare.

 

Në të njëjtën kohë, kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare në mes të shtetit të Kosovës dhe BE-së, përmes marrëveshjes për stabilizim-asocim dhe procesit për liberalizimin e vizave, si dhe po punojmë me përgjegjësi për jetësimin e tyre.

 

Paralelisht me përpjekjet për të siguruar më shuam njohje ndërkombëtare, në të njëjtën kohë, ne u përballuam edhe me sfidën e ndërtimit të shtetit.

 

Hartuam dhe miratuam gjatë kësaj periudhe një ndër kushtetutat më bashkëkohoret në rajon sipas standardeve dhe kritereve më të larta evropiane dhe atyre ndërkombëtare.

 

Në një kohë, me sukses të plotë, ne përmbyllëm edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

 

Në një kohë shumë të shkurtër ndërtuam, mund të them si vend i pavarur nga e para, institucione të reja shtetërore, organe të reja të sigurisë e  diplomacisë, një sistem efikas të garantimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave si dhe një demokraci funksionale dhe solide.

 

Falë procesit të zgjedhjeve të fundit dhe ato të mëhershme, ne mund të themi se Kosova sot është bërë vend shembull për të mirë në rajon për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të standardeve më të larta evropiane, për çka dëshiroj të falënderoj gjithë spektrin politik, qytetarët, shoqërinë civile, mediet, gjithë akterët në këtë proces të rëndësishëm.

 

Në këtë periudhë të rëndësishme kohore, ne arritëm që edhe me rekomandimin edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, me rolin mbështetës dhe të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të fillojmë dialogun si shtet i Kosovës me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

 

Pra, ne kemi nisur dialogun me Serbinë në vitin 2011, me kërkesë të OKB-së dhe të BE-së. Sot ne kemi arritur marrëveshje të rëndësishme, historike, të paqes dhe bashkëpunimit.

 

Dialogu tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane për Kosovën.

 

Disa nga rezultatet kryesore që ka prodhuar ky proces janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë  të njerëzve dhe mallrave, ku është vendosur reciprocitet dhe bashkëpunim  ndërshtetëror mes dy vendeve, dhe ka mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave të Kosovës dhe nëpër Serbi.

 

Dialogu ka bërë që Serbia pas shumë vitesh të heq bllokadat dhe embargot ndaj Kosovës, si dhe të njoh dokumentet shtetërore të udhëtimit, vulat shtetërore të doganave të Kosovës, diplomat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

 

Dialogu gjithashtu ka mundësuar gjithashtu shuarjen e strukturave paralele,  pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Janë nënshkruar disa marrëveshje, dhe funksionimi i tyre në masë të madhe është arritur të sigurohet si rezultat i qasjes sonë të përpiktë në vendosjen e mekanizmave të nevojshëm për funksionim, ashtu edhe nga presioni i garantuesve të marrëveshjeve.

 

Dialogu ka mundësuar njohjen reciproke të diplomave universitare përmes certifikimit nga një organizatë evropiane.

 

Nga kjo marrëveshje përfitojnë veçanërisht shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe deri më tani janë certifikuar mbi 300 diploma universitare, të cilat mund të përdorën nga bashkëkombësit tanë në Serbi.

 

Dialogu mundësoi që Kosova tashmë të përfaqësohet dhe anëtarësohet si shtet i pavarur dhe sovran në organizatat dhe nismat rajonale.

 

Sot Kosova edhe flet për vetveten, por edhe nënshkruan dokumente.

 

Deri më tani janë mbajtur qindra takime rajonale ku kanë marrë pjesë njëherazi Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë si shtete të pavarura dhe sovrane.

 

Me Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Serbia de facto ka njohur integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe tani policët, doganierët dhe agjencionet tjera të Republikës së Kosovës kryejnë detyrat e tyre kufitare si çdo koleg i tyre në shtete të tjera.

 

Unë mirëkuptoj edhe kritikat që janë bërë për procesin e dialogut, por ky proces ka qenë transparent, ka qenë me aprovimin e plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe votimin me 2 të tretat e marrëveshjes së arritur më 19 prill nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 

Me donacione të BE-së, ne do të vazhdojmë së shpejti do të fillojmë ndërtimin e ndërtesave moderne të përhershme kufitare në mes të dy shteteve tona. Po ashtu, dialogu ka bërë të mundur kthimin e librave të gjendjes civile, proces që është afër përfundimit.

 

Bashkimi Evropian tashmë e ka vlerësuar  si standard të plotësuar kompletimin e regjistrit civil në Kosovë si një nga kriteret e liberalizimit të vizave. Ne jemi të vetëdijshëm se shumica dërmuese e qytetarëve serbë në Veri nuk duan të jetojnë të izoluar dhe nën presionin e grupeve të cilat i maskojnë interesat e tyre inkriminuese dhe të kontrabandës me ato politike apo kauzave kombëtare.

 

Prandaj, si kryeministër i vendit, së bashku me ju, jemi të përkushtuar që të zhvillojmë një dialog me të gjithë ata që duan një jetë normale, shkollim cilësor për fëmijët e tyre dhe një të ardhme evropiane në Kosovën e re, Kosovën evropiane, në Kosovën atdhe të gjithë qytetarëve të saj.

 

Marrëveshja e 19 prillit mbi parimet e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka bërë të mundur pjesëmarrjen e serbeve për herë të parë në zgjedhjet lokale sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës e marrëveshjes së 19 prillit të vitit të kaluar.

 

Ka bërë të mundur organizimin në gjithë territorin tonë të një procesi votimi, që mori vlerësimet më të larta nga gjithë institucionet relevante ndërkombëtare.

 

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra, kabinet qeveritar,

 

Mungesa e kontrollit të Veriut të Kosovës nga prania e strukturave paralele serbe kanë përbërë një pengesë të madhe për ndërtimin e shtetit tonë në ushtrimin e funksionalitetit në gjithë territorin e Republikës sonë.

 

Asnjë qeveri kosovare më herët nuk ka pasur kurajën të përballet me këtë të keqe. Ne nuk vijuam me retorikën boshe të mëparshme për veriun, por u ballafaquam me atë sfidë.

 

Pa veprimin dhe vendimin për marrjen nën kontroll të kësaj pjesë të territorit dhe pikave kufitare 1 dhe 31 më 25 korrik 2011, nuk do të fillonte as dialogu real, nuk do të merreshim seriozisht as nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Prandaj, 25 korriku 2011, është dita e bashkimit territorial të Republikës së Kosovës.

 

Sot rezultatet e dialogut kanë bërë të mundur integrimin e banorëve të veriut në jetën institucionale të Kosovës, në drejtësi, siguri dhe fusha të tjera.

 

Këto rezultate kanë çimentuar integritetin territorial të Kosovës, e kanë mundësuar shtrirjen e sovranitetit e shtetit tonë në gjithë vendin.

 

Natyrisht, kërkohet edhe më tepër për implementimin e plotë marrëveshjeve.

 

Në këtë drejtim falënderoj BE-në, SHBA-në, NATO-n, EULEX-in, OSBE-në dhe gjithë akterët ndërkombëtarë për mbështetje unike dhe këmbëngulëse për implementimin e të gjitha marrëveshjeve.

 

Në planin e integrimeve euro-atlantike, dialogu së bashku me reformat evropiane të cilat i kemi realizuar me sukses si Qeveri e Kosovës, kanë bërë që të vazhdojmë të gëzojmë mbështetjen e komuniteti ndërkombëtarë. Prandaj Kosova sot është më afër BE-së dhe NATO-së.

 

Më duhet gjithashtu të theksoj se shteti i Kosovës vlerësohet, respektohet edhe më tepër nga bashkësia ndërkombëtare, sepse ka treguar përgjegjësi për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

 

Pavarësia e Kosovës dhe konsolidimi i pavarësisë ka bërë një rajon më të evropianizuar.

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra, kabinet qeveritar,

Të nderuar qytetarë,

 

Tanimë që procesi i shtet-ndërtimit po finalizohet  dhe pozicioni ndërkombëtar i shtetit tonë të pavarur po konsolidohet, ne do t\'i dedikohemi misionit tonë të ri, atij të zhvillimit të Kosovës.

 

Kjo ka për të qenë një sfidë e madhe, jo e lehtë, e vështirë dhe e gjatë, që do të kërkojë kontributin e të gjithëve.

 

Unë jam i bindur se vendi ynë ka të gjitha burimet njerëzore dhe natyrore për t\'u shndërruar në një vend të zhvilluar.

 

Ju kujtoj se edhe liria nuk erdhi brenda një dite, por u deshën shumë dekada për arritjen e aspiratës për liri dhe pavarësi.

 

Edhe pavarësia nuk u realizua në mënyrë të befasishme sa hap e mbyll sytë, por qe një proces i vështirë, i gjatë, negociatash.

 

U desh që të dëshmonim para komunitetit ndërkombëtar që ne kemi aftësi qeverisëse, kemi vendosmëri për të bërë Kosovën e pavarur, që dinim të ndërtonim institucione demokratike e që mund të garantonim të drejtat e minoriteteve.

 

U desh transferimi gradual i autoritetit prej ndërkombëtarëve, hapja nga e para e institucioneve të reja, përgatitja e kuadrove të reja, si dhe dialogu.

 

Dialogu dërgoi mesazhin e fqinjësisë së mirë të shtetit të Kosovës, por edhe dërgoi mesazhin evropian të shtetit të Kosovës, si e vetmja rrugë për të ardhmen evropiane, edhe zhvillimore, por edhe integruese.

 

U desh kohë që të kompensonim mungesën e përvojës dhe ekspertizës dhe të bënim të mundur heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Edhe skeptikët, por edhe optimistët u befasuan me suksesin që e arritëm me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Megjithatë, edhe pse kemi pasur burime të kufizuara para problemeve aq të mëdha, ne prapë ia kemi dalë që të kemi sukses, por jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër

 

Mbase kanë të drejtë ata që thonë se më shumë mund të ishte bërë për zhvillimin ekonomik gjatë këtyre pak viteve të Kosovës së pavarur. Megjithatë, të mos harrojmë se Kosova ka pasur shumë sfida të mëdha paralelisht, me të cilat jemi ballafaquar, i kemi tejkaluar dhe kemi pasur suksese të përbashkëta.

 

Qeveria ka qenë e zënë me proceset jetike të shtet-ndërtimit, në një angazhim të gjithanshëm, e  njohjeve ndërkombëtare, e dialogut e vendosjes së sovranitetit në gjithë territorin e vendit. Natyrisht, këto janë përgjegjësi tona kushtetuese, ligjore dhe politike. Kosova është një shtet i sapokrijuar dhe institucionet e saja në të gjitha nivelet janë të reja.

 

Përpos kësaj, nga e kaluara ne kemi trashëguar shkatërrimin e plotë të ekonomisë sonë, është dashur ta bëjmë transformimin e ekonomisë, nga ajo e centralizuar në ekonomi të lirë të, shpeshherë edhe e keqkuptuar nga shkolla e vjetër.

 

Por, unë jam optimist se ne do të lëvizim përpara dhe do të arrijmë suksese të vlerësuara.

 

Sot, shumë mbështetës dhe miq ndërkombëtarë, Kosovën e shohin si storie të suksesit, të gjithë ata që e kanë mbështetur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

 

Kthim prapa nuk ka. Do ët ketë vetëm forcim të shtetit dhe integrim në NATO, BE dhe OKB.

Shumë vende janë ballafaquar me problemet me të cilat ballafaqohemi edhe ne në procesin e tranzicionit demokratik.

 

Prandaj, këto tranzicione kanë zgjatur, siç nuk do të jetë i shkurtë, i lehtë edhe tranzicioni ynë demokratik, e në të njëjtën kohë nuk do të jetë i shkurt procesi i zhvillimit të plotë ekonomik të vendit tonë.

 

Por, e them me bindje të plotë se, procesi i tranzicionit demokratik në Kosovë ka qenë më i shpejt dhe i suksesshëm sesa i vendeve tjera në rajon, sepse vendet tjera në rajon, shumica prej tyre, tranzicionin e tyre e kanë filluar në vitin ’90, ndërsa ne e kemi filluar në vitin 1999, pas luftës.

 

Pavarësisht prej sfidave të ndryshme paralele, gjatë qeverisjes sonë, Kosova në vazhdimësi ka pasur një rritje domethënëse dhe të vazhdueshme ekonomike.

 

Andaj nuk është aspak e tepërt të thuhet që  Kosova ia  doli mbanë, pavarësisht krizave globale apo krizave financiare.

 

Në luftën ndaj varfërisë ne kemi arritur  gjatë këtij viti që ta ulim kufirin e varfërisë në 29%,  ndërkohë që në vitin 2007 e kemi pasur 45%. Kemi  vënë në jetë politika fiskale të favorshme dhe kemi ndërtuar një bazë ligjore transparente joshëse për investitorët duke e bërë mjedisin e biznesit në Kosovë ndër më konkurruesit në rajon.

 

Që nga vitit 2009, janë bërë reforma në sistemin tatimor duke bërë uljen e tatimit në të ardhura personale dhe në korporata në masën 10 % nga 20% sa ka qenë më parë.

 

Këto reforma u morën me qëllim të stimulimit të investimeve private si dhe ngritjes së të ardhurave të disponueshme të cilat si rrjedhojë do të rezultonin edhe me qarkullim më të lartë të parasë, që do të gjeneronte ngritje në të hyra.

 

Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe ligjin për lirimet doganore duke përfshirë një numër të konsiderueshëm të lëndës së parë dhe makinerisë për të stimuluar prodhimin vendor.

 

Në raportin tregues të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, Kosova është zhvendosur për 26 vende më lart duke e bërë vendin tonë reformatorin më dinamik në Evropën Jug-Lindore dhe atë Qendrore.

 

Krijimi i ambientit më të favorshëm për të rritur investimet e brendshme dhe të jashtme, është realizuar përmes kompletimit të kornizës ligjore dhe zbatimit të saj në njërën anë dhe në rritjen e koordinimit dhe bashkëveprimit ndërinstitucional.

 

Një tjetër sektor që ka shënuar një përmirësim radikal në Kosovë është ai i infrastrukturës. Ne në fund të vitit të kaluar sapo përmbyllëm ndërtimin a autostradës së kombit, “Ibrahim Rugova”, që është një nga autostradat më moderne në rajon. Ndërsa, po vazhdojmë punën në drejtim të përmbylljes së auto rrugëve në drejtim Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë. Tanimë, mjetet janë ndarë. Shuam shpejt presim që Grupi Ndërministror i Qeverisë së Republikës së Kosovës të merr vendim edhe për shpalljen e fituesit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Ferizaj, Kaçanik,-Han i Elezit deri në Shkup. Natyrisht, pjesën e Maqedonisë, qeveria e Maqedonisë, por ne deri në Han të Elezit.

 

Edhe për këtë autostradë janë ndarë mjetet për punë për vitin 2014. Sot, Kosova është një nga vendet me infrastrukturën rrugore në nivel edhe nacional edhe regjional, edhe lokal, mund të themi me standardin më të lartë.

 

Duke filluar nga viti 2008, Qeveria është fokusuar në rritjen e investimeve kapitale me qëllim të ngritjes së infrastrukturës të cilat investime përgjatë 2008-2012 u rritën mesatarisht 35%.

 

Kemi rritur buxhetin e dedikuar për infrastrukturë nga 37 milion sa ka qenë në vitin 2007, në mbi 200 milion në vitet në vazhdim.  Kjo politikë ka bërë që vendin tonë ta nxjerrë nga balta dhe të krijojmë një bazë solide, të avancuar dhe të vlerësuar nga të gjithë si vendi me infrastrukturë rrugore më moderni në rajon. Pastaj, edhe projektet që janë para nesh, janë projekte jashtëzakonisht inkurajuese, janë projekte që do të sjellin të mira qytetarëve të vendit tonë.

 

Me këtë infrastrukturë moderne, ne do t’i japim kuptim modern shtetit tonë të ri.

 

Në të njëjtën kohë, ne kemi arritur gjatë kësaj periudhe, të ndërtojmë përmes formës së koncesionimit, edhe aeroportin më modern në rajonin e Ballkanit, që është një aeroport i klasit më të lartë ndërkombëtarë, me kapacitete për 3 milion udhëtarë me planin që në vitet në vijim të rritet kapaciteti deri në 5 milion udhëtarë në vit.

 

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra, kabinet qeveritar,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

 

Energjetika është një ndër sukseset e radhës ku rritja e prodhimit, ulja e humbjeve në transmision si dhe efikasiteti i faturimit dhe pagimit kanë bërë që gjendja të ndryshohet në mënyrë radikale.

 

Në vitin 2007 janë prodhuar pak më shumë se 4 mijë Giga Wat energji elektrike në Kosovë, ku më shumë se gjysma (rreth 52 %) ka qenë energji e humbur në transmision ose tek konsumatori.

 

Falë përpjekjeve të qeverisë kapacitetet prodhuese dhe efikasiteti i shpërndarjes është rritur në vazhdimësi. Në vitin 2013 ka arritur në mbi 5500 Gigavat energji elektrike dhe humbjet janë ulur në masën rreth 35%.

 

Po ashtu, sapo kemi nënshkruar projektin për  ndërtimin e linjës së interkoneksionit 400 kiloVolt Kosovë – Shqipëri.

 

Si rezultat i kësaj linjë përfitimet për Kosovën, për Shqipërinë, por edhe për rajonin, do të jenë të mëdha. Së pari kjo linjë garanton pavarësinë e Kosovës prej sistemit energjetik nga Serbia dhe së dyti krijimi i një sistemi të përbashkët të integruar me Shqipërinë.

 

Kosova ka bazë prodhimin e rrymës me termocentrale, ndërsa Shqipëria ka bazë prodhimin me hidrocentrale e kështu nëpërmjet linjës këto dy sisteme do të plotësojnë njëra tjetrën në eficiencë të kostos dhe shërbim të konsumatorit.

 

Gjithashtu, ne presim që gjatë këtij viti definitivisht të përmbyllet procesi i fillimit të ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

 

Në të njëjtën kohë, investimet në sektorin e bujqësisë – përkrahja e drejtpërdrejt për fermerët, subvencionet, koordinimi i suksesshëm i donacioneve të ofruara për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë kanë pasur rritje të konsiderueshme.

 

Masat e marra dhe investimet kanë ndikuar në rritjen e shfrytëzimit të tokës bujqësore nga bujqit tanë në mbi 80 % të tokës bujqësore, që ka ndikimet e veta në të ardhura, punësim, dhe rritje të prodhimtarisë.

 

Po ashtu, edhe sektori i arsimit ka pasur fokus të veçantë nga ana e Qeverisë në 6 vitet e fundit. Ne mundësuar rritjen e investimeve në ndërtimin e shkollave të reja, kemi nxjerr shumë nxënës nga kontenierë e po ashtu edhe në përmirësimin e kushteve si të studentëve dhe të mësimdhënësve, ngritjen e kapaciteteve, financimin e programeve të ndryshme për studimet jashtë vendit.

 

Sot, pagat e profesorëve universitarë, të shkollave të mesme, fillore, kanë arritur nivelin rajonal e krahasuar me disa vende të rajonit, edhe më tepër sesa që i kanë ato vende të rajonit, por synimi ynë është që të kemi rritje të mirëqenies sociale, të kemi paga të punëtorëve evropianë.

 

Të gjitha masat e ndërmarra dhe efikasiteti i punës sonë ka bërë të mundur që të rriten pagat nga 30 deri në 50% pothuajse të gjitha kategoritë e punëtorëve të Kosovës. Ndërsa gjatë këtij viti, do të ndodhë përsëri rritja e pagave, flas për periudhën deri qershor ndërsa nga vjeshta do të ketë rritje radikale për të gjithë punëtorët kosovarë të pagave të tyre.

 

Pra, gjatë kësaj periudhe arsimtarët kanë pasur rritje 50 për qind, administrata 30 dhe policia në 40 për qind.

 

Megjithatë ne mund të bëjmë shumë më tepër. Ne do të nisim një kapitull të ri të zhvillimit të shpejtë ekonomik duke ndërtuar një bazë ligjore sa më efikase e të përshtatshme për ekonominë duke minimizuar rregullat e burokracitë për ta bërë më të thjeshtë e të lehtë funksionimin e ekonomisë private.

 

Ne na duhet të punojmë  fuqishëm për konsolidimin e sundimit të ligjit në Kosovë duke mundësuar veçanërisht respektimin e pronës private dhe zbatimin e kontratës.

 

Ne sot, jemi duke nxjerr legjislacionin më modern në rajon dhe çdo legjislacion që nxirret nga institucionet e Republikës së Kosovës, është i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe është i standardeve evropiane. Ka qenë një luftë e pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kundër dukurive tjera negative, por duhet ët bëjmë edhe më tepër.

 

Në do synojmë të nxisim sipërmarrjen private dhe do të vazhdojmë të punojmë për të ndërtuar një klimë të përshtatshme biznesi për të nxitur investime të huaja.

 

Në këtë mision  ne do të përqendrohemi tek nxitja e prodhimit vendor, duke nisur me ato prodhime që zëvendësojnë importet dhe zvogëlojnë deficitin tregtar.

 

Në mënyrë të veçantë do ta mbështesim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe shëndoshjen ekonomike të vendit tek shfrytëzimi sa më optimal i burimeve tona natyrore.

 

Ne kemi vazhduar të bëjmë edhe reforma të thella edhe sa i përket qeverisjes lokale. Në këtë drejtim gjithmonë duhet të bëjmë përparime.

 

Në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë reforma të thella në sektorin e sigurisë dhe e ardhmja e FSK-së do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës të drejtën tonë kushtetuese dhe ligjore si vend i pavarur dhe sovran.

 

Do të fillojmë reformën në sektorin financiar, ndërsa do të vazhdojmë në të njëjtën kohë reforma, por edhe një përkushtim edhe më të madh në sistemin e edukimit.

 

Do të punojmë maksimalisht me të gjithë për t’i kushtuar një rëndësi edhe më të madhe diasporës tonë, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe për lirinë dhe pavarësinë, pro në të njëjtën kohë, sot, ne duhet si shtet t’u krijojmë kushte dhe mundësi edhe për t’u kthyer në vendlindje me aq sa kemi mundësi, por edhe t’ju krijojmë kushte dhe mundësi për të investuar në Republikën e Kosovës.

 

Një sektori i jashtëzakonisht i rëndësishëm që paraqet për ne, është edhe rinia, sporti dhe kultura dhe një nga pikat e takimit të ardhshëm në mes të delegacionit të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me mbështetjen e BE-së, SHBA-ve, do të jetë edhe çështja e internacionalizimit apo pjesëmarrjes së sportit kosovar në garat ndërkombëtare. Ndërsa, do të vazhdojmë që të mbështesim sektorin e kulturës, gjithashtu edhe angazhimet rinore.

 

Ndërsa pres shumë që në këtë vit të kemi njohje të reja për Republikën e Kosovës, të rrisim numrin e njohjeve. Nuk ka qenë proces i lehtë, sepse ka qenë dashur që bisedohet dhe lobohet shtet për shtet për dallim prej vendeve tjera. Por, sot, të gjithë e vlerësojnë këtë të arritur të vendit tonë.

 

Gjithashtu, ne do të vazhdojmë administratën publike ta reformojmë, gjithmonë në përputhshmëri me standardet evropiane.

 

Ndërsa, do të punojmë maksimalisht me të gjithë, që në këtë vit të përmbyllim, apo mund të them shumë shpejt, reformën elektorale, që do të lehtësonte organizimin e zgjedhjeve të lira, edhe më efikas edhe më cilësor, me standarde më të larta ndërkombëtare të zgjedhjeve të përgjithshme 2014.

 

Pres një mirëkuptim dhe angazhim nga të gjithë, spektrit politik, shoqërisë civile, medieve, personaliteteve publike, që kjo të ndodhë shpejt dhe me sukses.

 

Natyrisht, unë kam dalë edhe me propozimin që të kemi këshilla edhe prej Komisionit të Venedikut. Ka pasur opinione të ndryshme, por unë vlerësoj se një komision i tillë do të ishte mbështetës dhe ndihmues edhe për ne si shtet i ri, si shoqëri evropiane, jo sepse ne nuk dimë t’i bëjmë punët tona, por vonohemi për t’i bërë ato që duhet ti bëjmë në kohë të duhur dhe do të ishte një komision i pavarur, i paanshëm dhe që do të nxirrte konkluzione dhe këshilla për të mirën e vendit tonë, për të mirën e shoqërisë sonë dhe, çdo këshillë evropiane mendoj se është e shëndoshë për gjithë spektrin politik kosovar dhe jo e njëanshme.

 

Unë jam i bindur se viti 2014, do të jetë viti i fuqizimit të shtetit tonë, i vazhdimit të zhvillimit ekonomik, i krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës dhe vit i perspektivës evropiane të Kosovës dhe afrimit edhe me NATO-n.

 

Natyrisht, pretendimet tona gjithmonë do të jenë që të punojmë maksimalisht për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

 

Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen, si dhe për besimin për një përkushtim të përbashkët që e kemi pasur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)