Tërnava: Në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm fetar
Në këtë intervistë për Epokën e re, Tërnava ka thënë se në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm apo fundamentalizëm fetar.
Ai ka deklaruar se në shtetin e Kosovës duhet të vazhdojë të mbizotërojnë paqja, harmonia dhe toleranca fetare. Tërnava edhe një herë u ka bërë thirrje gjithë atyre që janë duke luftuar jashtë vendit, të kthehen në Kosovë. Kosova është mbi të gjitha dhe nuk guxon askush ti bëjë keq Kosovës.
Ai i cili dëshiron ti bëjë keq Kosovës nuk e ka vendin këtu. Kush nuk e do Kosovën le të urdhërojë e të shkojë në Tora Bora. Në Kosovë nuk kanë vend as ekstremizmi, as terrorizmi dhe as fundamentalizmi. Këtu kanë vend paqja, harmonia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë mes besimeve dhe ardhmëria e përbashkët e gjithë atyre që jetojnë në këtë nënqiell dhe brenda trojeve etnike shqiptare, ka thënë Tërnava.
Ai është shprehur krenar që deri me tash ekstremizmat fetarë nuk kanë gjetur mjedis në Republikën e Kosovës. Sipas myftiut Tërnava, me ata që kthehen në Kosovë duhet të punojnë institucionet e Kosovës dhe BIK-u për ti ri-integruar edhe një herë në shoqërinë kosovare.
Edhe një herë i kisha ftuar ata të cilët janë ende jashtë, të kthehen në Kosovë, pastaj shoqëria kosovare të punojë me ta dhe ti ri-integroj edhe një herë brenda shoqërisë sonë, në mënyrë që ata ta shohin gabimin që kanë bërë, është shprehur Tërnava.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka deklaruar se do të punojë me përkushtim për ti plotësuar nevojat e besimtarëve islamë në Kosovë.
Tërnava ka shprehur bindjen se çështja e mbulesës do të zgjidhet së shpejti, duke shprehur keqardhjen se Kosova është shteti i vetëm që ndalon mbulesën në institucione publike. Ai ka theksuar se plani detal për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë pritet të vijë nga Stambolli brenda dy muajve dhe më pas të fillojë edhe ndërtimi i këtij objekti fetar.
Myftiu Tërnava ka thënë se BIK-u do të angazhohet ti sjellë vendit njohje të reja nga vendet islame që nuk e kanë njohur deri më tash pavarësinë e Kosovës.