Tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike
Prishtinë, 23 maj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë së premtes, organizoi tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 8 qershor.
Në një fjalë rasti në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i KQZ-së, z. Betim Gjoshi, fillimisht u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për këtë institucion pasi kemi arritur në një fazë tjetër të organizimit të procesit zgjedhor, siç është tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, e që vjen pas përmbylljes së procesit të certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje.
Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjes së mëtejme të Zgjedhjeve të 8 Qershorit. Deri më tani janë bërë punë të mëdha për organizimin e këtyre zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, tha z. Gjoshi, i cili në emër të KQZ-së shprehu përkushtimin se:
Jemi duke punuar maksimalisht që 8 qershori për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të jetë ditë feste.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 18 Parti Politike; 7 Iniciativa Qytetare; 1 Kandidat i Pavarur dhe 4 Koalicione, pra gjithsejt 30 subjekte politike me 1 235 kandidat për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
PDK-ja në këto zgjedhjet do të ketë numrin 58, LDK-ja 54, Lëvizja Vetëvendosje! 35, AAK-ja 44, AKR-ja 40, NISMA për Kosovën 59 dhe Partia e Fortë 37. Në garë ishin 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, një kandidatë i pavarur dhe 4 koalicione.