Tërheqja e rezolutës, ndryshim i politikës së Serbisë ndaj Kosovës
Prishtinë, 14 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një ligjëratë të mbajtur sot para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Amerikan të Kosovës ka thënë se në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pasoj edhe një fitore tjetër e cila i dha edhe vulën politike verdiktit legal të GJND-së.
"Sot lirisht mund të themi se bota, institucionet më të larta botërore e kanë legalizuar në aspektin juridik dhe politik shtetin tonë të pavarur dhe sovran", ka deklaruar Thaçi.
Me këtë rezolutë sipas tij OKB ka lëvizur pozitivisht në raport me qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe ju ka hapur rrugë edhe vendimeve tjera që do ta njohin subjektivitetin tonë shtetëror dhe kombëtarë.
Me tërheqjen e draft rezolutës së saj fillestare nga ana e shtetit serb, dhe me përpilimin e rezolutës së re nga Bashkimi Evropian dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas kryeministrit Thaçi Serbia ka pranuar realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe në rajon.
Po ashtu sipas tij ky është hapi i parë i ndryshimit të kursit të politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit.
"Shpresoj se politikën e konfrontimit dhe dhunës do ta zëvendësoj ajo e bashkëpunimit dhe paqes. Duke pranuar një rezolutë që njeh dhe respekton vullnetin tonë dhe mendimin e GJND-së, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, dhe secili shtet veç e veç kanë dhënë një kontribut të veçantë për paqen dhe stabilitetin dhe politikën e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë", ka theksuar ai.