Tensione brenda PDK-së për postin e presidentit
Prishtinë, 10 shkurt - Hashim Thaçi nuk ka mundur mbrëmjen e së martës t`i premtonte Behgjet Pacollit postin e presidentit të shtetit, pasi për këtë nuk e ka mbështetjen e mjaftueshme në partinë e tij.
Burime brenda PDK-së kane theksuar se ka shkuar në 10 numri i deputetëve të cilët nuk do ta votonin Pacollin për president. Kjo, për shkak se duan që posti i kreut të shtetit t`i takojë PDK-së.
Thaçi ka marrë sinjale nga disa deputetë se do të dalin me listë alternative kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit. Janë 8-10 deputetë që nuk do të votojnë Pacollin. Ata janë të vendosur që ky post t`i kalojë Jkaup Krasniqit, citojnë mediat burime nga PDK-ja.
Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe një nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, duke mos dashur t`i përmendej emri. Ky zyrtar ka bërë të ditur se mbështetësit e Krasniqit janë takuar ditë më parë në një nga restorantet në periferi të Prishtinës, në shenjë pakënaqësie me liderin e partisë, që nuk po i mbante të informuar me rrjedhat e procesit për ndërtimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, të pakënaqurit janë të sigurt se do t`i bëjnë 25 nënshkrime për ta propozuar Krasniqin për president, në rast se Thaçi përcaktohet që këtë post t`ia lërë AKR-së.