Të zhgënjyera me numrin e grave përfaqësuese në qeverinë e re
Prishtinë, 10 dhjetor - Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë shpreh pakënaqësi dhe zhgënjim lidhur me përfaqësimin tejet të vogël të grave në qeverinë e re.
Përbërja e re e qeverisë, ku nga 21 poste ministrore vetëm dy u takojnë grave, është përbërje e pabarabartë dhe si rrjedhojë nuk mund të themi që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, kur e kemi parasysh se popullata jonë përbëhet nga burrat dhe gratë në raport 50 me 50.
Ligji për Barazi Gjinore e garanton përfaqësimin e grave në pozitat vëndimmarrëse me kuotën 40%, prandaj Qeveria e re, duhet ta zbatojë këtë obligim ligjor.
Kjo përbërje e qeverisë edhe një herë hedh poshtë premtimet e bëra nga shumë liderë aktualë të skenës politike se në qeverinë e re të Kosovës do të ketë më shumë gra përfaqësuese.
Poashtu, përbërja e tillë e qeverisë, ku nga 21 poste ministrore vetëm dy u takojnë grave, shkel përpjekjet dhe investimet e deritanishme të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare, për arritjen e barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës, me theks të veçantë në atë politike në rastin konkret.
Që nga viti 2010, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka përkrahur aktivitetet e Grupeve Avokuese të Grave (GAG) nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Në takimin e tretë GAG u shëndrrua në Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë dhe kësisoj mundëson edhe burrave dhe djemve të Kosovës të cilët përkrahin të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave, të jenë pjesë e Lobit.
Lobi për Barazi Gjinore do të vazhdoj të avokoj në nivel lokal dhe qendror për çështjet drejt arritjes së barazisë gjinore në Kosovë.