Të verbrit diskutojnë për pjesëmarrjen e tyre në procese vendimmarrëse
Prishtinë, 6 mars - Në një tryezë të organizuar nga Shoqata e të verbërve të Kosovës, ku morën pjesë edhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësues nga Shoqata e të verbërve të Shqipërisë u diskutua pjesëmarrja e të verbërve në proceset vendimmarrëse në Kosovë.
Sinan Tafaj kryetar i shoqatës së të verbërve në Shqipëri theksoi problemet që të verbrit hasin duke filluar nga pjesëmarrja në vendimmarrje brenda familjes.
Shumë vendime tha ai merren për ne duke filluar nga vet familja, pa na pyetur fare neve.
\"Duke qenë se ne jemi ende shoqëri patriarkale, gjendja është edhe më e keqe për femrat e verbra të cilat pothuaj nuk kanë fare ndikim në vendimet që marrin për vet ato. E njëjta gjendje, tha ai , përcillet edhe te institucionet dhe në shoqëri\", ka theksuar Tafaj.
Edhe pse shtoi ka ka përparime në këtë drejtim dhe kohëve të fundit si në Shqipëri edhe në Kosovë janë hartuar ligje që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, përfshi të verbrit, gjendja ende nuk është e dëshirueshme. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë ët përjashtuar nga proceset vendimmarrëse.
Ka raste kur themelohen shoqata të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, por që drejtohen nga njerëz që nuk kanë ndonjë aftësi të kufizuar dhe nuk i njohin problemet me të cilat ne ballafaqohemi, shtoi Tafaj. Ai porositi të verbrit në Kosovë që të jenë edhe më aktivë dhe të kërkojnë vazhdimisht realizimin e të drejtave të tyre.
Suzana Novobërdalia deputete ne Kuvendin e Kosovës theksoi se janë bërë shumë përparime drejt përmirësimit të gjendjes së personave me aftësi të kufizuara.
Ajo përmendi faktin se Lijgi për të verbrit është hartuar në bashkëpunim të ngushte me shoqatën e të verbërve dhe se asnjë ndryshim nuk është bërë pa miratimin e tyre. Megjithatë ajo pranoj se ka ngecje në zbatimin e tij dhe për këtë ajo fajëson qeverinë.
Edhe deputetja tjetër Kymete Bajrakati e cila po ashtu drejton komisionin për monitorimin e zbatimit të ligjit të të verbërve konfirmoj se ka ngecje në zbatimin e ligjit për të verbrit.
Gjatë procesit të monitorimit të këtij ligji, tha ajo, kemi pa se vetëm Ministria e punës ka nxjerr një rregullore për themelimin e komisionit mediko-social ndërsa asnjë nga ministritë tjera nuk kanë nxjerr aktet nënligjore siç parashihet me këtë ligj.
Në fund u tha se të martën e ardhshme me 11 mars do të mbahet një dëgjim publik për zbatimin e ligjit të të verbërve.