Të premten Kuvendi vazhdon seancën dhe zhvillon seancë të re
Prishtinë, 22 shtator - Nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës është mbledhur sot së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare, për të përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë.
Kryesia u dakordua që Kuvendi të mblidhet të premten, më 25 shtator, në orën 10:00, për të vazhduar me pikat e mbetura nga seanca e kaluar, ndërsa nga ora 13:00, të po të njëjtës ditë, të fillohet me seancë të re.
Pas dy pikave të rëndomta, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të procedohet me shqyrtimin e Propozim-amendamentit Kushtetues nr. 26, nëpërmjet të cilit Konventa e Stambollit përfshihet në Kushtetutën e Kosovës, e që ka të bëjë me âparandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Seanca do të vazhdojë me formimin i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të RTK-së, prej tyre një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera jo shumicë, propozimet e katër komisioneve parlamentare për ndryshimin e emërtimeve dhe fushëveprimtarive të tyre, si dhe zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Po ashtu Kryesia shqyrtoi kërkesën e nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci, për të ftuar për raportim kryeministrit Avdullah Hoti, për punën 100 ditëshe të qeverisë së tij.
Ishte dakordim i anëtarëve të Kryesisë dhe kryetarëve të grupeve parlamentare që kjo seancë të jetë e veçantë dhe të mbahet gjatë javës së ardhshme, në konsultim me kryeministrin.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia procedoi për mendim në qeveri nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054, për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.