Të premten do të miratohen amendamentet kushtetuese
Prishtinë, 3 shtator - Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka plotësuar rendin e ditës së seancës së rregullt plenare, e cila do të mbahet më 6 shtator dhe ka vendosur të thërrasë seancën tjetër, të premten, më 7 shtator, për të miratuar amendamentet kushtetuese për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
Në seancën e rregullt, këtë të enjte, pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë:
Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për kredi dhe projekt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KFQW), lidhur me fabrikën e ujit në Shkabaj, Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, Projektligjin për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme, Projektligjin për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji, Projektligjin për arsimin dhe aftësimin profesional, Projektligjin për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit, Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, si dhe Projektligjin për arsimin dhe aftësimin për të rriturit në Republikën e Kosovës.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për grevat, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji .
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L- 049 për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.