Të përshpejtohet integrimi i vendeve të Ballkanit
Prishtinë, 3 mars Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s që ta përshpejtojnë integrimin e vendeve të Ballkanit, në të kundërtën rrezikojnë përhapjen e ndikimit të Rusisë dhe të ekstremistëve islamistë.
Thaçi, duke folur për agjencinë Reuters, ka thënë se shpreson për rezultate të prekshme në muajt e ardhshëm, siç është regjimi i ri i vizave të BE-së me Kosovën. Është koha kur Brukseli duhet të lëvizë nga retorika dhe fjalët e mira për Kosovën në masa konkrete, ka thënë Thaçi në Berlin, pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Ai po ashtu ka thënë se Prishtina e sheh këtë izolim të vazhdueshëm si padrejtësi.
Rusia ka tërhequr paralele midis aneksimit që i ka bërë Krimesë vitin e kaluar dhe mbështetjes ushtarake që i ka ofruar NATO-ja Kosovës më 1999. Thaçi e ka hedhur poshtë këtë dhe ka thënë se e ardhmja e Prishtinës qëndron në familjen euroatlantike. Çdo vonesë në këtë proces është e rrezikshme. Hap rrugën për depërtimin dhe rritjen e ndikimit të Rusisë në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak, ka thënë Thaçi.
Po ashtu i hap rrugën Shtetit Islamik që të depërtojë në rajon dhe të ndikojë në rajon, ka shtuar Thaçi për agjencinë Reuters. (REL)