Të paktën edhe për një mandat
Prishtinë, 27 dhjetor - Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Jagxhillar, ka thënë se minoritetet të paktën edhe për një mandat duhet ti kenë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Kërkesa jonë është që ulëset të jenë të rezervuara edhe për dy mandate, por mendojmë se duhet të vazhdohet edhe për një mandat, për faktin se mandati i parë nuk ka qenë i plotë, ka thënë Jagxhillar në intervistën për Epokën e re.
Ai ka vlerësuar se një kërkesë e tillë nuk është e tepërt, pasi vazhdimi i ulëseve të rezervuara do të jetë në të mirë të shtetit të Kosovës. Mendojmë se me përfshirjen sa më të madhe të deputetëve të minoriteteve do të bëhet integrimi dhe përfaqësimi i të gjithëve komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, ka thënë Jagxhillar.
Jagxhillar ka treguar se për vendet e rezervuara është folur edhe gjatë fazës së përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Sipas tij, në atë kohë ka pasur qëndrim që kjo çështje të kalohet por që të bisedohet më vonë.
Sa iu përket vendeve të rezervuara për minoritetet ne jemi deklaruar edhe gjatë kohës së përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët. Atëherë ka qenë një qëndrim që kjo çështje të kalohet, por në të ardhmen të bisedohet. Pra, ka qenë një kërkesë që për dy ose një mandat të vazhdohet me vendet e rezervuara krahas atyre të garantuara për minoritetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka thënë Jagxhillar.
Ai ka thënë se është e nevojshme të bëhet integrimi sa më i madh i të gjitha komuniteteve në Kuvendin e Kosovës si dhe në institucionet e tjera të shtetit të Kosovës. Kontributi i minoriteteve deri më tani ka qenë pozitiv dhe do të vazhdohet edhe më tutje të jetë kështu, ka thënë Jagxhillar.
Ai ka thënë se është ende herët të flitet për efektet që mund ti prodhojë mosrealizimi i kërkesës së minoriteteve për vazhdimin e rezervimit të ulëseve në Kuvend. Në këtë periudhë është ende herët të flitet për një gjë të tillë. Komunitetet do të bëjnë një kërkesë të ligjshme, demokratike dhe tani do të shohim a do të realizohet apo jo. Si do që të jetë, jeta vazhdon, është shprehur Jagxhillar.