Të ndalohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
Prishtinë, 14 prill - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot konferencë për media ku u fol për nënshtrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Këto zgjedhje sipas Vetëvendosjes përveç që nuk po ndalohen nga Qeveria e Kosovës, Ministrat e Isa Mustafës po kontribuojnë në to dhe po marrin pjesë në tubimet e organizuara nga Vuçiqi e Daçiqi në Kosovë.
\"Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ato janë në përputhje vetëm me Kushtetutën e Serbisë. Tash shtrohet pyetja cila është përgjegjësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës: mbrojtja e Kushtetutës sonë, apo mbrojtja e Kushtetutës së Serbisë?\"
Me mosveprimin e tyre, me tolerimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe me pajtueshmërinë që këto zgjedhje të zhvillohen nga shteti serb brenda territorit të shtetit tonë, Qeveria e Kosovës është vënë në funksion të Kushtetutës serbe dhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.\"
\"Qeveria e Kosovës, përballë dështimit për ti ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, po mundohet ti paraqesë këto zgjedhje si zgjedhje normale demokratike të një shteti fqinj. Zgjedhjet e Serbisë që janë paralajmëruar të mbahen më 24 prill, nuk janë thjesht zgjedhje të një shteti fqinj, shtetasit e te cilit votojnë në ambasadën e shtetit përkatës, por janë zgjedhje që po organizohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Serbisë në Kosovë, tha drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, duke shtuar se kjo është shkelje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë e sovranitetit shtetëror, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit të paprekshëm të sistemit zgjedhor.
Ai më tej tha se pakica serbe i është lënë totalisht në përgjegjësi institucioneve të Serbisë, me çrast zyrtarët e Serbisë lirshëm hyjnë në Kosovë dhe zhvillojnë fushata zgjedhore duke e lidhur popullatën serbe me premtimet e tyre vazhdueshme për kthimin e Kosovës nën Serbi.
Serbisë i është lënë shkollimi i serbëve, informimi, shëndeti dhe pagat, zgjedhjet, pra praktikisht çdo sferë e jetës sociale, politike, ekonomike dhe kulturore. Kësaj po i korrespondon përpjekja që të krijohet edhe një autonomi territoriale serbe përmes Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Dhe kështu të pamundësohet çfarëdo funksionimi unitar i shtetit të Kosovës në të ardhmen, theksoi Konjufca.
Lëvizja Vetëvendosje! kundërshton fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Nëse Qeveria ka dështuar ti kryejë funksionet dhe ti ushtrojë përgjegjësitë e saj shtetërore dhe kushtetuese, ne ftojmë Policinë e Kosovës që ta zbatojë ligjin.
Kjo do të thotë që çdo person dhe politikan që vjen nga Serbia për këto aktivitete të kundërligjshme të ndalohet, arrestohet ose dëbohet; të ndalohet veprimtaria e paligjshme e shfrytëzimit të objekteve publike të Republikës së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë; si dhe të konfiskohet çdo material zgjedhor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Serbisë.