Të mbrohen investimet e diasporës
Prishtinë, 17 maj - Ministri i Diasporës, Valon Murati, sot, në një takim priti ambasadorin britanik në Prishtinë, Ruairí OConnell, të cilin e njohu me objektivat dhe prioritetet e Ministrisë së Diasporës.
Në takimin me ambasadorin britanik OConnell, ministri Murati, me theks të veçantë, potencoi mësimin plotësues të gjuhës shqipe, procesin e regjistrimit të diasporës, si dhe tërheqjen e investimeve nga diaspora, projekte këto shumë të rëndësishme.
Në këtë kuadër, ministri Murati theksoi se, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të Kosovës, MeD-ja po bën përpjekje që tu krijohen kushte bizneseve nga diaspora të investojnë në Kosovë, që të mbrohen ligjërisht investimet e tyre.
Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit.
Ministri Murati tha se janë të interesuar që të kenë bashkëpunim të ndërsjellë me Mbretërinë e Bashkuar, të marrim edhe përvoja nga ky shtet.
Ndërkaq, ambasadori britanik, z. OConnell, e falënderoi ministrin Murati për pritjen, përderisa shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në realizimin e projekteve për diasporën, duke thënë se përkrahja nga shteti britanik nuk do të mungojë.
Në fund të takimit, u ra dakord që të mbahen edhe takime të tjera, në mënyrë që të identifikohen të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit në të mirë të Kosovës dhe diasporës në Mbretërinë e Bashkuar.