Të krijohet sa më shpejt rrjeti i bizneseve shqiptare në Turqi
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Diasporës, Valon Murati, pas kthimit nga vizita në Turqi, e priti në një takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Songul Ozan.
Ministri Murati e njoftoi ambasadoren Ozan për takimet e frytshme dhe për pritjen që i është bërë në Republikën e Turqisë, si dhe për aktivitetet, në të cilat ka marrë pjesë gjatë qëndrimit në Stamboll. Z. Murati kërkoi bashkëpunim sa më të madh nga ambasada edhe për themelimin e rrjetit të bizneseve në Republikën e Turqisë, duke marrë parasysh fuqinë financiare të komunitetit të bizneseve shqiptare në Turqi.
Në anën tjetër, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Stamboll, znj. Ozan, e njoftoi ministrin Murati për hapjen e Qendrës Kulturore Shqiptare në Ankara, përkatësisht në komunën e Altinday. Kjo komunë ka dhënë për shfrytëzim një shtëpi historike, e cila do të shfrytëzohet për aktivitete të ndryshme nga komuniteti shqiptar dhe nga Ambasada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
Ministri Murati dhe ambasadorja Ozan u dakorduan që gjatë këtij muaji ta vizitojnë edhe Qendrën Kulturore të Turqisë në Prishtinë Yunus Emre, në mënyrë që për së afërmi të njihen me modalitetet e punës së kësaj qendre.
Në fund, ambasadorja Ozan e potencoi edhe incidentin e ndodhur në komunën e Kycykcekmece, gjatë manifestimit të 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke e siguruar ministrin Murati se ky incident, në asnjë mënyrë, nuk ka qenë i drejtuar ndaj ministrit Murati, institucioneve të Kosovës apo festës së Pavarësisë së Kosovës dhe assesi ndaj komunitetit të përgjithshëm shqiptar në Turqi.