Të intensifikohet bashkëpunimi midis dy parlamenteve
Prishtinë, 15 prill - Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga nënkryetari i dytë, Sasha Milosavljeviq, priti sot në takim Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Arta Dade.
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane fillimisht shprehën falënderime për angazhimin dhe kontributin e shtetit të Shqipërisë për Kosovën, ndërkaq kërkuan që ky angazhim të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen, me theks të veçantë në proceset e integrimit evropian. Me këtë rast, ata kërkuan që Shqipëria të ndihmojë Kosovën më shumë edhe në çështjen e lobimit për më shumë njohje.
Anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, theksuan se Shqipëria do të bëjë përpjekje maksimale, që Kosova të jetë pjesë e të gjitha nismave rajonale, si dhe të avancojë në agjendën evropiane. Ata vlerësuan faktin se së shpejti do të merret një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave, meqë Kosova tashmë i ka përmbushur elementet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe marrëveshjen e MSA-së.
U theksua po ashtu se duhet pjekuri politike për të shpejtuar integrimin e Kosovës në BE.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e dy komisioneve u dakorduan që të rrisin bashkëpunimin mes dy parlamenteve, ndërkaq, sa i përket agjendës evropiane delegacioni nga Shqipëria shprehu gatishmërinë për mbështetje të mëtejme për Kosovën.