Të hënën mbahet seanca plenare
Prishtinë, 13 shtator - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e saj të parë për sesionin vjeshtor.
Nën drejtimin e kryekuvendarit Glauk Konjufca dhe me prezencë të kryetarëve të grupeve parlamentare, Kryesia vendosi që seanca e parë e Kuvendit për këtë sesion të mbahet të hënën, më 20 shtator, në orën 10:00.
Seanca do të fillojë me pikat e rëndomta, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, për të vijuar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës dhe atë për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit.
Në këtë seancë pritet të formohet edhe Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 (tetë) anëtarë nga komuniteti shqiptar dhe 1 (një) anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. â