Të forcohet roli i të rinjve në vendimmarrje
Mitrovicë, 22 janar - Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në Komunën e Mitrovicës në bashkëpunim me Këshillin e Veprimit Rinor Lokal (KVRL) organizuan një takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve me qëllim të dhënies së propozimeve dhe pasurimit të projekt-propozimit për Planin e Veprimit Rinor për vitet 2014-2017.
Në këtë takim që u mbajt në qendrën e kulturës Rexhep Mitrovica, ishte i pranishëm edhe drejtori i DKRS-së, Kujtim Isa, i cili foli për rëndësinë e këtij projekt-propozimi.
Ai theksoi se duke marrë parasysh se mbi 50 për qind e popullatës së Kosovës është nën moshën 30 vjeçare, del se konkurrenca për studime dhe punësim është jashtëzakonisht e madhe.
Sot jemi para një gjendje aspak të mirë të vendit sa i përket mundësive për punësim, avancim dhe përkrahje të talenteve të fushave të ndryshme. Kufizimet në buxhet, por edhe infrastruktura e dobët, ka bërë që ky segment i popullatës të ndjek rrugët tradicionale të shkollimit dhe zhvillimit, të cilat e kufizojnë rininë së tepërmi në kuptimin e kreativitetit, inovacioneve dhe zhvillimit të karrierës.
Ai tha se me atë draft dëshirojnë që të arrijnë një stabilitet për sa i përket qasjes së të rinjve ne vendimmarrje, trajnime, debate, aktivitete më qëllim të zhvillimit të mendjes kritike, te mendimit politik si dhe në zhvillimin e karrierës në përgjithësi.
Mitrovica, dikur qytet sinonim i kulturës duhet dhe kemi për obligim moral e qytetar që kulturën, por edhe sportin e në përgjithësi rininë ta ngritim në nivele më të larta profesionale, tha ai.
Sipas tij, për të pasur një orientim më të qartë rreth makro-kornizës se çfarë duhet të përmbaje ky dokument, duhet të merren parasysh disa objektiva:
Të forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve komunale dhe organizatave joqeveritare për të krijuar mundësi në fushën e edukimit formal dhe joformal, krijimi i një sistemi fleksibil dhe të pranueshëm edukues, gjithëpërfshirës në çdo kohë të jetës, të përmirësohen mundësitë e punësimit për të rinjtë, të përmirësohet bashkëpunimi i institucioneve në politikat e tyre për punësimin e të rinjve etj.
Në këtë kontekst ai përmendi edhe promovimin e jetës së shëndetshme tek të rinjtë, mandej ngritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë tek të rinjtë për rëndësinë dhe ruajtjen e mjedisit jetësor, rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në nivelin lokal dhe qendror në çështjet e sigurisë njerëzore etj.