Të enjten zhvillohet debat parlamentar për Trepçën
Prishtinë, 15 prill - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që të enjten, më 18 prill, të vazhdohet me seancën e papërfunduar të një jave më parë, për të votuar rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me statusin e pazgjidhur të punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990 deri në vitin 1999.
Ky rekomandim bëtët sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare.
Në të njëjtën ditë, ndërkaq, do të mbahet seanca e re e Kuvendit të Kosovës. Pas shterimit të pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta të Kuvendit: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë Projektligjin për Organet qeveritare për Shoqërinë e informacionit.
Në vazhdim do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me ndërmarrjen Trepça, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Si pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Kryesia në takimin e sotëm ka shqyrtuar Propozimin e Kornizës Afatmesme të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2014-2016, për të cilën sqarimet i ka dhënë sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Kryesia ka miratuar këtë Kornizë, duke i rekomanduar Ministrisë së Financave, që e njëjta të përfshihet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2014-2016.
Kryesia, ndërkaq, ka mbetur ta shqyrtojë edhe një herë rekomandimin për rishikimin e Vendimit të Kuvendit të Kosovës nr. 02/229-1/06, të datës 17 korrik 2006, për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e Qendrës Administrative-Protokollare në Gërmi dhe Kuvendit tia paraqesë propozimin.