16 Janar 2025

Të enjten votohet rezoluta për Luginën e Preshevës

Prishtinë, 3 qershor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që këtë javë të mbahen dy seanca parlamentare.    


Të enjten, më 6 qershor, pritet të votohet Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas debatit në këtë temë, të mbajtur javën e kaluar, e propozuar nga deputetit Lutfi Haziri.

Kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që deri në këtë ditë t’i harmonizojnë qëndrimet për tekstin e Rezolutës.

Në seancën e së enjtes, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: Koha për deklarim e jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për tregun dhe produktet e naftës dhe Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë  Projektligjin për blegtorinë.

Në vazhdim të seancës do të votohet lidhur me  propozimin për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe për propozimin për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën seancë deputetët do të kenë rastin t’i shqyrtojnë pesë raporte të agjencive të pavarura për vitin 2012: Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Raportin e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Raportin vjetor financiar të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Raportin vjetor të punës të Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës, si dhe Raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në seancën e së premtes, më 7 qershor, do të zhvillohen dy debate parlamentare: Në fillim të seancës do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015, kurse në vazhdim do të ketë debat parlamentar lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave.
 
Kryesia në mbledhjen e sotme ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2013, si dhe ka shqyrtuar propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare, duke u lënë deputetëve të dy grupeve parlamentare nga radhët e komunitetit serb që të arrijnë pajtimin për përfaqësim nëpër komisione parlamentare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)